Lëvizja Vetëvendosje është duke u ballafaquar me kritikat e bashkëpunëtorëve të dikurshëm, shkaku se vazhdon që t’i bindet kërkesës së mëhershme të deputetëve serbë që pikturat me karakter kombëtar, në korridorin kryesor të Kuvendit, të mbahen të mbuluara. Në kohën sa ka qenë në opozitë, nga Vetëvendosja ishte kërkuar që të ndërmerreshin veprime për zbulimin e tyre. E tani që është në pushtet, as përfaqësues të partisë dhe as ata nga Zyra e kryetarit të Kuvendit nuk janë deklaruar lidhur me planet pasuese për pikturat
Shtatë vjet më parë, si figura udhëheqëse të Lëvizjes Vetëvendosje në opozitë, kryeministri i tanishëm, Albin Kurti, dhe kryetari aktual i Kuvendit, Glauk Konjufca, ishin në krye të një aksioni simbolik. Të përkrahur edhe nga deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ata patën zbuluar pikturat me karakter kombëtar që mbaheshin të mbuluara në hollin e Kuvendit. Mbulimi i tyre ishte bërë gjatë legjislaturës së parë të Kuvendit, pas ankesës nga deputetët serbë që i konsideronin ato si provokuese.
Tani, një vit e gjysmë pas marrjes së pushtetit, nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk është ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me rizbulimin e tyre.
Pal Lekaj, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe njëherësh njëri prej deputetëve që kishte shqyer pëlhurën mbi piktura në aksionin simbolik, ka vlerësuar se tani ka ardhur koha për veprim.
Derisa ka kujtuar kohën kur i ishte bashkuar aksionit për zbulimin e pikturave, Lekaj ka thënë se veprimin e ka ndërmarrë për ta vënë në pah trashëgiminë dhe kulturën shqiptare të shtetit të Kosovës.
“Ne nuk guxojmë të fshihemi, nuk guxojmë të rezervohemi ndaj figurave tona të ndritshme kombëtare dhe sidomos nuk guxojmë të heshtim prej atyre që nuk i duan. Ju po i dini veprimet e Serbisë, çfarë veprimesh merr dhe nuk iu vjen fare keq, ndërsa ne thuajse po na vjen keq që të zbulojmë të vërtetën tonë shqiptare dhe kulturën tonë shqiptare”, ka thënë deputeti i AAK-së, i cili ka paralajmëruar se së shpejti do t’u kërkohet institucioneve që të bëhet zbulimi i pikturave të mbuluara.
Me qëndrimin e Lekajt është pajtuar edhe Faton Topalli, deputet i dikurshëm i LVV-së, porse ka shtuar të mos jetë i befasuar me mosveprimin e udhëheqësve institucionalë.
“Sinqerisht nuk kam besim që mund të ketë ndonjë ndryshim, sepse deri tash është treguar se gjithçka që është premtuar është bërë për të ardhur në pushtet. Unë nuk do të jem i befasuar nëse ata nuk do të ndërmarrin asnjë hap, siç nuk kanë ndërmarrë deri më tash”, ka thënë ai.
Ish-deputeti Topalli, i cili bashkë me Lekajn ka marrë pjesë në largimin e pëlhurave që i mbulonin pikturat, ka theksuar se aksioni i 2015-s kishte për qëllim kundërshtimin e realitetit politik që “kishte hequr dorë nga identiteti kombëtar”.
“Mendoj që është shumë jonjerëzore dhe e pakuptueshme që një minoritet ta shikojë si armiqësor popullsinë, identitetin e popullsisë shumicë në Kosovë. Ishte dashur që popullsia shumicë ta ketë identitetin e saj kombëtar dhe kjo të mos u pengojë minoriteteve, ashtu siç do të duhej të ndodhte edhe e kundërta”, ka thënë Topalli, duke shtuar se ndryshimi i pamjes së Kuvendit dhe kthimi i pikturave është çështje e vullnetit të kryetarit të Kuvendit.
Pikturat në hollin e Kuvendit ishin punuar gjatë rinovimeve të objektit, të ekzekutuara nga kompania e Behgjet Pacollit, tani deputet nga radhët e Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike (LDK).
Ai ka treguar se njëra prej pikturave të mbuluara ishte me përmbajtje nga Kongresi i Lezhës, ndërsa një tjetër nga Lidhja e Prizrenit, përderisa ka vlerësuar se asnjëra prej tyre nuk ka ndonjë përmbajtje që do të mund të interpretohej nga deputetët serbë si reflektim i nacionalizmit. Për këtë arsye, ai ka thënë se duhet të zhvillohen bisedime me deputetë serbë, në mënyrë që atyre t’ju sqarohet se ato nuk janë kundër tyre.
“Nëse ne duhet t’i dëgjojmë kërkesat e serbëve, ne duhet ta mbyllim edhe shtetësinë tonë e të kthehemi në situatat e para ’70-ve. Këto kërkesa nuk duhet t’i përfillim. Ne duhet t’i hapim këto piktura, t’i shohim. Unë besoj që ato do të japin një vlerë të madhe artistike”, ka theksuar Pacolli.
Aktualisht në ballin kryesor të hollit të Kuvendit sipër pikturës së mbuluar është vendosur portreti i Nënë Terezës, përderisa në anën e kundërt, pikturën e mbulon një baner me stemën dhe emërtimin e Zyrës së Presidentes. Lidhur me planet rreth zbulimit apo jo të tyre, pyetjeve të adresuara nga KOHA nuk u kanë dhënë përgjigje që nga prilli, zyrtarë nga Zyra e kryetarit të Kuvendit. Përgjigje nuk janë ofruar as nga shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.