Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Protestë kundër ekspozitës që ekspozoi pasaktësi të masakrave në Kosovë

Konferenca OVL-UÇK

Reagimet për pasaktësi në pasqyrimin e masakrave në Kosovë që ishin ekspozuar në sheshet e Prishtinës, kanë vazhduar edhe të dielën. OVL e UÇK-së ka thirrur protestë për të hënën para Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar atë fyerje ndaj luftës dhe dëshmorëve. Kjo organizatë ka kërkuar edhe dorëheqjen e kryetares së Kuvendit Albulena Haxhiu, me arsyetimin se ky institucion financoi ekspozitën. E organizatat që ishin përgjegjëse për ekspozitën , Admovere dhe Integra, kanë kërkuar falje

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thirrur protestë për të hënën (13.00) për të shprehur indinjatën për ekspozitën e shfaqur në sheshet e Prishtinës, e në të cilën u shfaqen pasaktësi për masakrat e kryera nga Serbia në Kosovë.

Protesta do të mbahet para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, institucion që përkrahi financiarisht këtë ekspozitë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gazmend Syla, nënkryetar i OVL-UÇK, ka thënë se kjo ekspozitë është përplot shpifje.

“Nuk lejojmë të përdhoset lufta jonë. Nuk pranojmë të relativizohen krimet serbe. Nuk heshtim përballë fyerjes së viktimave. për këtë arsye, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë vendosur që nesër, e hënë, në orën 13:00 të organizojnë protestë para Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Syla.

Kryetari i kësaj organizate ka kërkuar edhe dorëheqjen e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, për, siç ka thënë ai, gabimin e rëndë që ka bërë.

“Përgjegjësia bie mbi të dhe është mirë që ajo vetë të deklarohet dhe të dalë publikisht. Nuk ka nevojë të presë që ne të dalim në rrugë. Nuk është turp, përkundrazi, duhet të ndihet krenare nëse e bën atë veprim që është hapi i duhur. Madje, do të vlerësohej edhe më shumë nëse jep dorëheqje si kryetare e Kuvendit për këtë gabim trashanik që ka bërë”, ka thënë Gucati.

Protesta e thirrur nga OVL-UÇK-së është mbështetur nga Partia Demokratike e Kosovës. 
PDK-ja këtë protestë e ka cilësuar reagim të drejtë qytetar dhe kombëtar për mbrojtjen siç është thëën, të dinjitetit të viktimave dhe vlerave të luftës.

E shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka akuzuar qeverinë dhe institucionet e tjera për ikje nga përgjegjësia.

“Është totalisht e pakuptimtë se si i përvidhet përgjegjësia, se si shteti dështon. Dështon Qeveria e Kosovës, dështon Kuvendi i Kosovës, dështon ministrja përkatëse dhe mbështetet një ekspozitë e cila në esencë ka pasaktësi që ndërlidhen me të drejtën historike të Kosovës, pasaktësi të të dhënave të cilat i demantojnë burimet. Pra, burimi i informacionit thotë: ‘Këto nuk janë të dhënat e mia’, domethënë largojeni këtë ekspozitë. Dhe, në anën tjetër, secili në institucion, në këtë pushtet, mundohet të ikë nga përgjegjësia”, ka thënë Tahiri.

E deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, në një reagim ka thënë se 
qëllimi i opozitës nuk është drejtësia, por goditja e kryeministrit Albin Kurti.

“Sot, të njëjtët dalin dhe kërkojnë ‘llogaridhënie’ e vëmendje institucionale. Janë po këta që për 20 vjet në pushtet nuk kanë bërë asnjë hap elementar për dokumentimin e plotë të krimeve dhe masakrave në Kosovë, të njëjtit që kundërshtuan themelimin e Institutit për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë”, ka shkruar ajo.

Pas këtij reagimi të deputetes së VV-së, ka reaguar menjëherë deputeti i PDK-së, Artan Behrami, duke e akuzuar VV-në për mosdistancim nga ekspozita me autor Shkëlzen Gashit.

“U bë e gjallë Dejona. Asnjë reagim për ekspozitën e narracionit serb në sheshin e Prishtinës! Asnjë keqardhje, asnjë distancim! Do të thotë, VV-ja edhe më tutje beson që në Dubravë të burgosurit shqiptarë paskan qenë të armatosur! Shkëlzen Gashi është goja e Kurtit kur ky nuk flet!”, ka thënë Behrami.

Pas reagimeve të shumta dhe kritikave për pasaktësi në pasqyrimin e masakrave në Kosovë nga lufta e fundit, organizatat që ishin përgjegjëse për ekspozitën në sheshet e Prishtinës, “Admovere” dhe “Integra”, kanë kërkuar falje.

“Përmes këtij reagimi, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me ndikimin dhe reagimet e shkaktuara nga ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”. Fillimisht, u kërkojmë falje të sinqertë të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës, të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë, bashkëpunëtorëve tanë dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar. Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd”, thuhet në reagimet e dy organizatave.
 

Përmes një postimi në Facebook, kanë shkruar se qëllimi i vetëm i ekspozitës ishte nderimi i viktimave civile të luftës dhe kontributi në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë.
Përmes reagimit kanë bërë thirrje, për siç thuhet, ndalje të sulmeve dhe linçimeve.

Pesë ditë pas vendosjes, të shtunën në mëngjes janë larguar nga sheshi kryesor i Prishtinës tabelat me përmbajtje të pasakta për masakrat e ndodhura në Kosovë gjatë luftës. 

Veprimi është ndërmarrë një ditë pasi Komuna e Prishtinës ka pezulluar lejen për ekspozitën, si pasojë e reagimeve të shumta publike lidhur me pasaktësitë e identifikuara në përmbajtje.

Pas kësaj, Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës që funksionon në kuadër të Prokurorisë Speciale, ka njoftuar se ekspozita do t’i nënshtrohet vlerësimit për të përcaktuar nëse përmban elemente të përgjegjësisë penale.