Sipas raportit mujor të IPK-së, vetëm gjatë muajit nëntor janë suspenduar 13 punonjës të Policisë së Kosovës. Përveç suspendimeve, pati edhe arrestim. Njohësit e kësaj fushe konsiderojnë se zyrtarët policorë duhet t’u nënshtrohen kontrolleve të brendshme në vazhdimësi
13 punonjës të Policisë së Kosovës janë suspenduar gjatë muajit nëntor.
Bazuar në raportin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), një edhe është arrestuar, derisa janë deponuar 192 ankesa.
“Prej tyre, 131 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore dhe janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë për hetime të brendshme, kurse 58 nga to janë përcjellë në Departamentin e Hetimeve në IPK me dyshimin për veprimtari penale. Kallëzime penale të parashtruara në Prokurorinë e Shtetit janë 4, raporte të veçanta të parashtruara në Prokurorinë e Shtetit janë 3, raporte informuese të parashtruara në Prokurorinë e Shtetit janë 6, rekomandime për suspendim 13 e të arrestuar 1”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
E gjatë periudhës janar – nëntor 2025, sipas raporteve mujore të IPK-së, janë suspenduar 115 punonjës policorë apo 24 më shumë se gjatë vitit 2024.
Ish-koloneli policor, Refki Morina, ka thënë se zyrtarët policorë duhet t’u nënshtrohen kontrolleve të vazhdueshme të brendshme.
“Mund të ketë zyrtarë policorë që bien ndesh me ligjin për Policinë, rregullativën e brendshme policore, ku në raport të tillë ose qytetarët ankohen në Inspektoratin Policor të Kosovës ose hapin rast ndaj zyrtarëve policorë për arsye se ne e dimë se askush nuk është mbi ligjin, prandaj zyrtarët policorë janë ata të cilët duhet t’i nënshtrohen kontrollit të vazhdueshëm të brendshëm, por edhe IPK dhe Prokuroria, por edhe nga qytetarët. Ajo është masë që mund të dyshohen se janë kryerës të ndonjë vepre penale”, ka thënë Morina.
Sipas IPK-së, është bërë edhe inspektimi i strukturave të funksioneve në Policinë e Kosovës, me qëllim të sigurimit të llogaridhënies e efikasitetit në zbatimin e ligjeve.