Një ngjarje e rrezikshme ka ndodhur mbrëmë në fshatin Mleçan të Malishevës. Policia ka dhënë një lajm për rastin që e ka cilësuar si "grabitjeje e armatosur", ndërkohë që banorët e kanë përshkruar rastin që ngjan në një "film aksion" me plotë emocione.
Bajram Kryeziu, njëri nga pronarët e shtëpive ku është bërë grabitja, ka treguar për KOHËN se rasti ka ndodhur në orët e mbrëmjes, mes orës 19:00-20:00, të ditës së hënë.
"Kanë hyrë dhe e kanë bastis shtëpinë time, të vëllait, të mixhës, kanë marrë një sasi të hollash, ari të bashkëshortes sime, tek vëllai një sasi parash...", ka treguar ai.
"I kanë vërejtur familja dhe kur i kanë vërejtur kemi marrë një aksion vëllazëria jonë, disa bashkëfshatarë, ndoshta rreth 15-20 veta, s'kam shiku saktë se sa veta kemi qenë, pasi jam marrë me hajnat, i kemi nxënë, i kemi blloku aty pas shkollës, s;i kemi lënë me lëviz, ata kanë tentu me na therë me kaçavida e sende të tjera, por nuk ia kanë dalë", ka rrëfyer pjesëmarrësi i drejtpërdrejtë në aksion, duke folur pikërisht nga vendi ku i kanë ndalur 2 grabitësit.
"I kemi zënë pas shkollës mes therrave dhe rrjetës metalike, nga ne nuk ka pasë dikush lëndime serioze, e as grabitësit nuk kanë qenë të lënduar, përveç gërvishjeve nëpër therra e tela, e hekra", ka thënë Kryeziu.
Edhe
Në Malishevë hajnat ikin nga shtëpia ku gjetën familjarë brenda, arrestohen nga Policia
Sipas tij, grabitësit kanë shtënë 4-5 herë me armë zjarri, por fatbardhësisht nuk është plagosur askush.
"Në fakt, unë e kam dëgjuar vetëm një herë armën, por djemtë e vëllait thanë nja 4-5 herë kanë kërsitë armët", ka dhënë detaje ai.
Sipas tij, një makinë me grabitës ka ikur drejt malit dhe ai dyshon se kanë qenë 10-15 persona pjesëmarrës në grabitje, ndërkohë që janë zënë vetëm dy.
"Kanë qenë 10-15 veta se me u thye 3 shpija për 20 minuta duhet me qenë një ekip i madh që ka bërë kërdi", është shprehur Kryeziu. "Ne jemi sjellë mirë me grabitësit, nuk i kemi maltretu, i kemi dorëzu në Polici, ne nuk kemi pasë armë, kemi piskatë 'policia, policia' dhe nuk i kemi lejuar të lëvizin", rrëfen Kryeziu nga një qoshe prapa fushës sportive të shkollës së Mleçanit, vendi ku natën e kaluar i kishin bllokuar 2 nga grabitësit.
Mbase ka qenë fat për banorët e Mleçanit por edhe për grabitësit që në momentin e përballjes ka rastisur një patrullë policore të jetë në Mleçan për një problem, dhe pasi kanë dëgjuar zhurmën kanë shkuar shpejt dhe i kanë arrestuar grabitësit.
Ndryshe, në fshatin fqinj me Mleçanin, në Plloçicë, para pak vjetësh janë vrarë dy vëllezër nga familja Maloku pikërisht derisa po i ndiqnin hajnat që kishin mësy shtëpinë e tyre në orët e natës.
"Ne kemi qenë të rrezikuar pasi ishim të paarmatosur, por tash e tutje apeloj tek kryeministri, ministrja e Drejtësisë, ministri i Brendshëm, ose le të na mbrojnë nga hajnat, ose le të na armatosin", ka thënë Kryeziu, duke kërkuar takim me 3 krerët e shtetit. "Familja jonë është tronditë, me gra, me fëmijë, sot fëmijët tanë nuk kanë mundur të shkojnë në shkollë, ka qenë një tmerr", ka përshkruar ai.
Bajram Kryeziu thotë se në familjet e tyre kishte ndodhur një plaçkitje më e vogël edhe para rreth 3 javësh, kur ai ishte në mërgim, pasi jeton në Danimarkë, dhe kishte ardhur nga atje pikërisht duke parandier se do të ndodhte një gjë e tillë përsëri.
"Unë shumë më i sigurt ndihem në Danimarkë, në vend të huaj, sesa në vendlindjen time", është shprehur ai.
Edhe
Arrestohen tre të dyshuarit për grabitjen e 40 eurove në Prizren
Ismet Kryeziu, kryetar i fshatit Mleçan, ka kërkuar më shumë siguri për banorët e fshatit, pasi nuk është hera e parë që janë cak i plaçkitjeve.
"Mbrëmë kemi qenë seriozisht të rrezikuar, andaj kërkojë nga shteti të ofroj siguri për banorët e fshatit", ka thënë kryetari Kryeziu, në një prononcim për KOHËN.
Edhe Policia e Kosovës-Drejtoria Rajonale në Gjakovë, ka njoftuar se në Mleçan gjatë së hënës në mbrëmje ishin grabitur ca stoli ari dhe para të gatshme në vlerë 7000 euro, si dhe janë demoluar pothuaj të gjitha orenditë në dhoma.
Policia ka njoftuar po ashtu se 2 grabitësit janë zënë nga fshatarët e Mleçanit dhe ka njoftuar se "dyshon që dy grabitësit gjatë ikjes kanë shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të fshatarëve duke ua rrezikuar jetën".
Sipas njoftimit, policia ka arritur në vendin e ngjarjes "pothuaj në të njëjtën kohë" dhe kanë arrestuar dy të dyshuarit: - B.H. i lindur 1991 – sh/k. dhe I.R. i lindur 1995 – sh.k.
Policia ka njoftuar se gjatë kontrollit për siguri personale patrulla policore ka gjetur dhe sekuestruar si prova materiale dy armë zjarri: - ZORAKI M-906 – B DHE - ZASTAVA –TT, CAL.7.62 mm", që policia dyshon se të njëjtat janë përdorur gjatë ikjes. Policia, po ashtu, ka bërë me dije se ka gjetur dhe sekuestruar edhe para të gatshme, një orë dore, pesë unaza gishti, një palë vathë, dy zinxhirë ngjyrë ari, dy pllaka ngjyrë ari.
Policia ka njoftuar edhe për disa gjësende të tjera të gjetura tek grabitësit dhe që shërbejnë si prova materiale kundër tyre dhe po ashtu ka bërë me dije se të dyshuarve u është ofruar edhe ndihma mjekësore, pasi gjatë ikjes ishin lënduar.
"Pas deklarimeve paraprake në konsultim me prokurorin, dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. Hetimet janë në vijimësi, pasi policia dyshon se të njëjtët janë të përfshirë edhe në disa raste tjera të ngjashme të kryera pikërisht në Malishevë dhe në fshatrat përreth", thuhet në fund të njoftimit të Policisë së Kosovës.
Edhe
Musa për vrasjet në Malishevë: Pa u sqaruar si u plagos dorasi, vështirë të nxirret një përfundim
KOHA merr vesh nga burimet e saj në Polici se dy grabitësit e arrestuar janë njëri nga Stanovci i Drenasit dhe tjetri nga Lipjani.
Sipas këtyre burimeve, të arrestuarit që janë intervistuar pas mesnatës në prani të avokatëve janë mbrojt në heshtje.