Inspekcioni i Komunës së Mitrovicës ka vazhduar përpjekjet për të mbajtur rend dhe për të detyruar shitësit që të respektojnë rregulloret komunale dhe ligjin sa i përket shitjes së produkteve dhe lirimit të hapësirave publike dhe trotuareve për lëvizje të lirë për qytetarë.
Të shtunën që në orët e hershme të mëngjesit, inspektorët komunalë Kimete Berisha dhe Shkumbin Osmani, të mbështetur nga policia e Kosovës, nuk i kanë lejuar shitësit, cilët do qofshin ata, që produktet e tyre t’i ekspozojnë në trotuare dhe hapësira tjera publike, të parapara për shfrytëzim nga ana e qytetarëve.
“Ne jemi në shërbim të qytetarëve pa ndërprerë, prandaj sot kemi dalë herët në mëngjes për të mos lejuar shitësit që produktet e tyre t’i ekspozojnë nëpër trotuare dhe hapësira tjera publike për t’i shitur, pasi që në këtë mënyrë po e pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Madje ky aksion është ndërmarrë edhe me kërkesën e qytetarëve, që trotuaret dhe hapësirat publike të jenë të lira për lëvizje. Sot puna shkoi mirë dhe pa probleme. Ne do të vazhdojmë punën tonë, me qëllim që produktet të shiten atje ku e kanë vendin, në tregun e qytetit ku ka mjaft vend për të gjithë”, thanë inspektorët Berisha dhe Osmani.
Ata njoftuan se shitësit i kanë respektuar urdhëresat e inspektorëve dhe nuk ka pasur nevojë për intervenim të policisë apo shqiptim të ndëshkimeve mandatore.