Në Kosovë nuk pritet një rritje e kamatave të kredive, ka paralajmëruar guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Mehmeti ka thënë se qytetarët s’ka nevojë të kenë frikë për “destabilizim të sektorit financiar në vend”.
“Kemi banka mirë të kapitalizuara dhe është 15.3 për qind raporti i mjatueshmërisë së kapitalit, larg minimumit rregullativ që kërkohet të jetë 12 për qind. Raporti i likuiditetit është 35 për qind që është larg mbi minimumin e kërkuar rregullativ. Kur flasim për raportin ose rregullativën, duhet të kemi parasysh se rregullativën e kemi konform direktivave të Bashkimit Evropian dhe kjo tregon se bankat kanë kapital të mjaftueshëm për të kredituar ekonominë e vendit. Duhet të rritet kërkesa, të përmirësohet oferta më tutje. Oferta përmirësohet. Sot kemi rënie të normës së interesit në 5.8 për qind, në linjë me vendet e rajonit”, ka thënë ai.
Për të ulur inflacionin e muajve të fundit shumë shtete në botë kanë nisur ngritjen e kamatave që konsiderohet masa e parë për të ndihmuar në parandalimin e rritjes së mëtejme të inflacionit.