Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se rritja ekonomike në vend nuk duhet të jetë më e vogël se 8 për qind, për shkak të sfidave kryesore që i ka Kosova, e që janë papunësia e deficiti i lartë tregtar, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Mehmeti, ka thënë se sipas parashikimeve, inflacioni gjatë vitit të ardhshëm në nivel të Eurozonës do të jetë 3 për qind, ndërsa në vitin 2025 në 2 për qind. Rënie të inflacionit, Mehmeti, ka thënë se do të ndikojë edhe në Kosovë.
“Nëse e shohim në nivel global, kemi një rritje në tremujorin e dytë 2023-ës rreth 0.23 për qind. Është një përmirësim në ekonomitë e Eurozonës, për arsye në raportet e mëhershme dhe pritjet e tyre kanë qenë se nuk do të kemi fare rritje ekonomike, por do të kemi rënie. Por është një mesazh kjo përqindje. Pastaj është mirë që edhe inflacioni ka filluar të bjerë. Në Eurozonë inflacioni është afër 6.2 për qind dhe parashikimet janë që këtë vit, inflacioni do të jetë rreth 5.4 për qind, e vitin e ardhshëm do të jetë 3 për qind, që të jep shpresë se po shkojmë drejtë përmirësimit të gjendjes ekonomike në nivel të Eurozonës”, ka thënë Mehmeti.
Ai e konsideron të pashmangshme rritjen normës së interesit.
“Kur e përmendi inflacionin, e dini që është një prej faktorëve që mori përmasa dhe që janë të pritshme pas pandemisë dhe kjo e detyroi Bankën Qendrore Evropiane që të marrë masa e vendime për rritjen e normës së interesit katër herë radhazi dhe arriti deri në 4 për qind, e kjo ka bërë që të kemi rritje të normës së interesit në kredi. Pra, parashikimet janë që vitin e ardhshëm të kemi rreth 3 për qind inflacionin, pra kjo ndikon në tërësi edhe në ekonominë e vendit, por më pastaj pritjet janë që në vitin 2025, pritjet që inflacioni të bjerë në nivelin çfarë e ka dëshiruar Banka Qendrore Evropiane, që të jetë rreth 2 për qind”, u shpreh ai.
E rritjen ekonomike për këtë vit, Mehmeti e konsideron të vogël dhe se e njëjta duhet të jetë mbi 8 për qind.
Edhe
Mehmeti thotë se rritja ekonomike e parashikuar nuk mjafton përballë deficitit tregtar dhe papunësisë
“Në Kosovë, në tremujorin e dytë 2023, rritja ekonomike ishte rreth 2 për qind e një raport i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar, është që të kemi një rritje ekonomike dikund rreth 3.5 për qind këtë vit. Nuk është një rritje, zakonisht kemi pasur rritje edhe në vitet tjera dhe unë kam potencuar se neve na duhet një rritje më e lartë ekonomike, përafërsisht deri në 7-8 për qind, me qëllim që t’i adresojmë dy sfidat të cilat në vazhdimësi i ka pasur Kosova dhe vazhdon t’i ketë, e që janë papunësia dhe deficiti i lartë tregtar. Tashmë meqë jemi te deficiti i lartë tregtar edhe me të dhënat e fundit që i kemi në dispozicion, flasim për një rritje të deficitit tregtar në 6.7 për qind”, tha Mehmeti.
Mehmeti ka thënë se borxhi publik ka hapësirë të rritet.
“Edhe borxhi publik 2.67 miliardë ishte borxhi publik me të dhënat e fundit e nëse e shohim me të GDP, është mbi 17 për qind. Unë gjithmonë e kam thënë se këtu ka hapësirë që të rritet borxhi publik deri në 40 për qind. Realisht, e kam potencuar kurrë asnjëherë nuk është borxhi i lartë publik, përderisa dihet se ku po shkon, kujt i dedikohet ky borxh dhe nëse shkon nëpër aktivitetet të cilat janë vlerë e shtuar e ekonomisë, asnjëherë nuk është borxhi i lartë. Por, në anën tjetër, nëse ne nuk e rrisim borxhin dhe kjo do të na dërgojë në atë që ne nuk jemi duke mbështetur ekonominë e vendit”, thotë Mehmeti./EO
-
Raporti i FMN-së për rritjen ekonomike përplas pushtetin me opozitën
-
FMN-ja për Kosovën: Ngadalësim i ekonomisë, rritje e inflacionit dhe rreziqe nga pasiguria politike
-
Rritja ekonomike më 2025 - 3.9%, më e ulët se më 2024-n kur ishte 4.4%
-
BQK-ja parashikon rritje ekonomike 4.1 për qind vitin e ardhshëm