Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e konsideron si normale rritjen e kamatave bankare, pasi sipas tij, është mënyra më e mirë për ta luftuar inflacionin. Ai ka thënë se kjo është proklamuar qysh më herët.
Ai thotë se Kosova do të duhej të ishte e përgatitur karshi kësaj ngritjeje.
“Duhet të kuptohet një ngritje të kamatave bankare kemi pas qysh më herët këtë e ka proklamuar Banka Qendrore Evropiane, që është kërkuar që të rritet për 2 për qind kamata. Këtë e ka kërkuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtarë dhe Banka Botërore për të shpallur luftë kundër inflacionit që e ka kapluar Bashkimin Evropian edhe shumë vende të tjera në këtë drejtim edhe Kosovën. Në anën tjetër përdoret kjo ngritje e kamatave në Bankën Qendrore Evropiane, për faktin që është një mekanizëm kyç për t’i luftuar efektin e inflacionit që e ka goditur Evropën”, thotë Gërxhaliu.
Sipas tij, nëse vazhdohet me trendin aktual të inflacionit, rritja e kamatave mund të shkojë deri në 8 për qind. Goditje, thotë Gërxhaliu, do të kenë bizneset e vogla dhe qendrat e reja inovative.
“Në anën tjetër e kemi Bankën Qendrore e cila kohëve të fundit është para sfidave të shumta në mungesë të një guvernatori të mirëfillte dhe në mungesë të procedurave komfort ligjeve dhe transparencës së nevojshme e tëra kjo do të ndikoj që edhe në Kosovë qytetarët dhe bizneset të jenë të goditura. Është paralajmëruar që deri në qershor të këtij viti kamata do të jetë afër 6 për qind. Në qoftë se do të vazhdohet në këtë trend me siguri do të ketë edhe rritje që mund të shkoj deri 7.5 apo deri 8 për qind. Është mjaftë shqetësues fakti që do të jetë një goditje për bizneset e vogla, do të jetë një goditje për bizneset ekzistuese dhe do të jetë shumë e vështire që të kemi kreditim për qendrat e reja inovative të cilat kishin me qenë në funksion të zhvillimit”, u shpreh Gërxhaliu.
Eksperti i ekonomisë e sheh si të pamundur ndaljen e rritjes së kamatave, pasi sipas tij kjo nuk e ka goditur vetëm Kosovën.
Edhe
Fluturojnë kamatat
“Është dashur me kohë që të jemi të përgatitur që t’i bëjmë disa kalkulime që efektet të jenë më të ulëta se sa do të jenë tani e tutje. Është e vërtet që kohët e fundit flitet shumë për profitin bankar, mirëpo mos të harrojmë të njëjtën kohë edhe bankat e paguajnë riskun e vetë. Garancia kryesore e kreditimeve e funksionimit normal të bankave është stabiliteti politik, këtë Kosova nuk e ka. Faktori i dytë është sundimi i rendit dhe ligjit dhe e treta është pluralizmi i tregut”.
Ai kërkon që prioritet i guvernatorit të ardhshëm të jetë liberalizimi i tregut të Bankave./ EkonomiaOnline