Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Kosovë deri tash janë privatizuar rreth 50 për qind e pronave shoqërore

E drejta e trashëgimisë për pronat e privatizuara shoqërore pas 99 vitesh ende nuk është e përcaktuar me ligj.

Se çfarë ndodh pas kaq vitesh, një përgjigje të tillë nuk e kanë as në Agjencinë e Privatizimit të Kosovës. Zyrtarë të AKP-së theksojnë se deri tash janë privatizuar rreth 50 për qind e pronave apo aseteve shoqërore.

Kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha- Shala, përmes telefonit, i ka thënë Radio Kosovës se e drejta e trashëgimisë në pronat e privatizuara shoqërore pas 99 vjetësh nuk është e përcaktuar me ligj dhe se nuk dihet ende se kujt do t’i mbeten ato.

Agjencia për Privatizimin e Kosovës ka identifikuar 597 ndërmarrje shoqërore, me gjithsej 3 mijë e 932 asete. Prej tyre deri më tani janë privatizuar rreth 50 për qind e aseteve shoqërore.

I pyetur nga Radio-Kosova për këtë çështje, zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Yll Kaloshi, në një përgjigje elektronike, thotë se AKP pret që Qeveria, përkatësisht Kuvendi i Kosovës të bëjë ndryshimet e duhura ligjore mbi njohjen e së drejtës së pakufizuar për të gjithë blerësit e ndërmarrjeve të reja, të cilët kanë blerë përmes procesit të privatizimit apo likuidimit.

Njohësi i çështjeve juridike, Xhevat Azemi, thotë se qeveria duhet të miratojë ligjin për çështje të trashëgimisë, sepse bartësit e këtyre asteve, kanë bërë investime të mëdha.

Edhe Kosova, në kërkim të pronave Arbëri Kosova, në kërkim të pronave

“Nuk ka asnjë kuptim që pas 99 vjetësh duhet më thënë tash ta kthesh atë pronë, dhe me mbetet pezull apo e padefinuar dhe çka me bë me ato investime që janë bërë. Arsyeja pse është zgjedhur ai version në atë kohë, ka qenë i natyrës politike dhe i statusit të pazgjidhur të Kosovës në kohë. Jam shumë i sigurt se do të aprovohet Ligji dhe qiramarrësit e të drejtës së shfrytëzimit të shndërrohen në pronarë.”

Ndryshe, procesi i privatizimit kishte filluar në vitin 2002 në bazë të rregullores së UNMIK-ut 2002/12 “Mbi Themelimin e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit” dhe rregullores 2003/13 kur Kosova administrohej nga Misioni i Kombeve të Bashkuara.