Arbëri

Në Kosovë, 40% të testeve dalin pozitive me COVID-19, në Shqipëri 24.6%, në Maqedoni 10%, në Serbi 3.4%

Foto: Alban Bujari / KOHA

Kosova e Maqedonia kanë shënuar pak a shumë numër të njëjtë të rasteve pozitive me COVID-19 në 24 orët e fundit. Në Kosovë janë shtuar 168 raste, kurse në Maqedoni 163.

Por dallimi i madh është në numrin e testeve dhe përqindjen e rasteve pozitive.

Në Maqedoni në 24-orëshin e fundit janë kryer 1.636 teste, që i bie se numri i pacientëve që kanë rezultuar pozitivë është 10 për qind. Ndërkohë në Kosovë përqindja e të infektuarve është shumë më e madhe, 40 për qind. Nga 415 mostra të kryera, 168 kanë dalë pozitive.

Po ashtu, në Maqedoni nuk ka vdekur asnjë person ë 24 orët e fundit si pasojë e koronavirusit, kurse në Kosovë pesë.

Kosova ka regjistruar numër më të madh të të shëruarve, 157, ndërkohë në Maqedoni janë shëruar 69.

Maqedonia, pas Serbisë është vendi me më së shumti teste të kryera në rajon.

E në Serbi, pëqindja e të infektuarve krahasuar me testet e bëra është edhe më e vogël - 3.4. Nga 10.310 teste të kryera në 24 orët e e fundit, 352 kanë rezultauar pozitivë.

Edhe Shqipëria qëndron më mirë se Kosova. Në 482 teste të kryera në 24 orët e fundit, 119 kanë ndal pozitivë, që i bie 24.6%.