Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në gusht diaspora mbarëshqiptare mblidhet në Prekaz

Më 1 gusht Prekazi sërish mbledh përfaqësuesit e diasporës mbarëshqiptare. Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media të Ministrisë së Diasporës.

Zv. kryeministri , njëherësh ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike të Kosovës, z. Dardan Gashi, vizitoi sot komunën e Skenderajt, ku u takua me kryetarin e saj, z. Bekim Jashari.

Mes tjerash, thekson njoftimi, ata diskutuan për manifestimin e datës 1 dhe 2 gusht, Dita e Diasporës, i cili që nga viti 2013 është mbajtur në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Edhe këtë vit, ministri Gashi dhe kryetari Jashari, u dakorduan që gjatë datës 1 gusht, tradicionalisht të organizohen homazhe tek varrezat e Familjes Jashari për bashkatdhetarët tanë, organizim ky i përbashkët mes përfaqësuesve të familjes së Komandantit Adem Jashari, Komunës së Skenderajt dhe Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Në këtë ceremoni do të marrë pjesë edhe ministri i Shtetit për Diasporën nga Shqipëria, z. Pandeli Majko si dhe personalitete të tjera politike shqiptare nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia.

Data 2 gusht në Kosovë është e rregulluar me Ligjin mbi Diasporën dhe shënon Ditën e Diasporës. Gjatë dy ditëve Ministria e Diasporës në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm, organizon aktivitete të shumta dhe ndër të tjerat ndan edhe çmimet për Mërgimtarin e Vitit si dhe çmimet për Gazetarin / Storien e vitit për Diasporën.

Gjatë ditëve në vijim, MDIS do të publikojë edhe kalendarin e aktiviteteve për këto dy ditë.

Artikuj të ngjashëm