Arbëri

Në Gjykimin e “Syrit të Popullit”, Thaçi e merr në pyetje Sadri Ramabajën

Pa ftesë të Gjykatës, por me propozim të prokurorit Special, Sylë Hoxha, presidenti Hashim Thaçi është ftuar të enjten të marrë pjesë në procesin gjyqësor të rastit “Syri i Popullit".

Në këtë seancë, e cila pas ardhjes së presidentit u mbyll për mediat dhe publikun, prokurori Special i kërkoi gjykatës që presidentit t’i lejohet që në cilësinë e palës së dëmtuar t’i parashtrojë pyetje të akuzuarit Sadri Ramabaja, raporton KTV.

Seanca, pas disa orësh, përfundoi me kërkesë të avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan përjashtimin e trupit gjykues që udhëhiqet nga gjyqtarja Naime Krasniqi-Jashanica, si dhe të prokurorit Sylë Hoxha.

Ata thanë se ky rast nuk duhet të vazhdojë me këtë trup gjykues dhe me prokuror, sipas tyre, të ndikuar nga politika.

Presidenti Thaçi është një nga emrat që dyshohet se u gjendën në listën e pretenduar të organizatës “Syri i Popullit” për likuidim.

Ai në këtë rast dëshmoi në dhjetor të vitit të kaluar, gjithashtu, pa praninë e mediave.

Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, dhe gjashtë persona të tjerë akuzohen nga Prokuroria Speciale për përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë, për vrasje të rëndë në tentativë si dhe vepra të tjera penale.