Arbëri

Në Gjilan nis zyrtarisht manifestimi kulturor “Flaka e Janarit 2019”

Manifestimi kulturor “Flaka e Janarit 2019” ka filluar zyrtarisht me ndezjen e flakadanit para shtatoreve të heronjve “Rexhep Mala e Nuhi Berisha” në qendër të qytetit të Gjilanit.

Edicioni i 28-të me radhë që do të mbahet në këtë komunë ka në fokus të veçantë shfaqjet të cilat jepen në Teatrin e Qytetit dhe se ulëset priten të mbushen nga publiku i cili edhe në edicionet e tjera kishte shfaqur një interesim të madh. Gjithashtu do të organizohet tribuna kushtuar dëshmorëve si dhe do të mbahet edhe festivali i këngës shqipe, raporto Koha Ditore.

Në ndezjen e flakadanit kanë marrë pjesë familja e dy dëshmorëve si dhe kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri. Kreu i kësaj komune ka vlerësuar se rënia heroike e dy dëshmorëve gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë është një udhërrëfyes për tjerët sesi duhet të luftohet për lirinë.

“Ceremoninë e ndezjes së Flakadanit kësaj flake që Rexhep Mala e Nuhi Berisha me kushtrimin dhe armët e tyre kundërshtuan regjimin më të gjatë dhe më të egër të shekullit të kaluar karshi ne shqiptarëve. Ishin dy të vetëm që nga një istikam të lagjes së trimave që është emëruar sipas emër të tyre dhe veprës së tyre. Tash kjo kodër në Prishtinë është sinonim i trimërisë që këta dy burra të Gjilanit dhe të Anamoravës që i kanë dhënë kombit. Këta dy kryengritës na mësuan sesi luftohet për liri si fitohen të drejtat. Tash ky vit e tutje gjithmonë flakadani do të qëndrojë afër dy heronjve të kombit në mënyrë që të përcjellët gjithë aktivitetin tjetër në shenjë të respektit të heronjve organizohet në komunën tonë” ka thënë ai.

Kurse drejtoresha e kulturës, Shpresa Hajdari ka deklaruar se ata kanë bërë të gjitha përgatitje për manifestimin kulturor i cili mbahet në këtë komunë. Ajo ka thënë se të pranishëm në Gjilan me shfaqje do të jenë teatrot edhe nga Tirana.

"Pasi u ndezën flakadanët sonte në Gjilan filloi Flaka e Janarit. Fillimisht në akademinë solemne pra me 17 janar do të mbahet akademia dhe pastaj do të kemi hapjen e ekspozitës. Ekspozita pothuaj i ka kryer punimet dhe kanë arrit mjaft punime. Vazhdojmë me tribunën për heroin “Mulla Idriz Gjilani” që do të mbahet në bibliotekën e qytetit. Dhe pastaj do të kemi dramën shqipe “Talia e Flakës” ku edhe do të shfaqen 5 shfaqje. Kemi pjesën muzikore “Fest Flaka” dhe tash fëmijët është bërë traditë që të këndojnë dëshmorëve “Xixa e Flakës”. Dhe kemi orën e madhe letrare dhe deri me 15 janar është i hapur konkursi ku ende munden të aplikojnë me tregime dhe poezi. Këto janë në vija të shkurta nga sot deri me 31 janar dhe mbas çdo shfaqje do të ketë debate. Ka pasur mjaft të interesuar mirëpo ata të cilët nuk kanë plotësuar kriterin sepse duhet të jetë drama shqipe domethënë vjen Tirana, Prishtina, Ferizaj, Prizreni dhe Gjilani. Prishtina i ka dy shfaqje", ka thënë ajo për KD.

Ndryshe manifestimi kulturor u kushtohet dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha të cilët ndërmjet 11 e 12 janari të vitit 1984 ranë heroikisht gjatë përleshjes me forcat serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë.