Në Gjakovë, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 ka pasur zvogëlim të rasteve të krimit për 17 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Kështu ka thënë komandanti i Stacionit Policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj, që ka raportuar në Komisionin Komunal për Siguri në Bashkësi, për gjendjen e sigurisë në vend.
“Sipas këtij raporti, gjendja e sigurisë në periudhën në fjalë është mjaft e mirë në të gjitha aspektet”, thuhet në njoftim.
Drejtori i Arsimit, Bernard Frrokaj, e ka vlerësuar si të lartë edhe nivelin e sigurisë nëpër shkollat e Gjakovës.
Në mbledhje, kryetari i komunës, Ardian Gjini, ka thënë se të gjithë duhet të jenë më të fokusuar përmes analizave, por edhe veprimeve konkrete të bëjnë vlerësimin dhe monitorimin e situatave, ndërhyrjen në rastet kur kërkohet por edhe krahasimin e periudhave dhe lëvizjeve të statistikave në periudha të ndryshme.
Gjini ka kërkuar që fokus më të madh të ketë në luftën kundër përdorimit të substancave narkotike dhe sigurinë në shkolla.