Arbëri

Në ditën kur u paralajmërua lirimi i naftës, Ministria cakton marzhën e fitimit

nafta

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nënshkruar vendimin për caktimin e marzhës së fitimit për naftëtarët, në ditën kur nga vetë naftëtarët u paralajmërua lirimi i çmimit të derivateve.

“Ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, përmes evidencave të përditshme të Doganës së Kosovës dhe raporteve nga ana e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është evidentuar se ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi shpesh pasqyrohen në rritje të menjëhershme të çmimeve të shitjes, ndërsa nuk ndodh një reflektim proporcional në ulje kur çmimet furnizuese bien”, thuhet në njoftim të MINT-it.

Sipas vendimit, marzha tregtare maksimale e lejuar është 2 centë për litër për shitjet me shumicë dhe deri në 12 centë për litër për shitjet me pakicë.

Vendimi parasheh mbikëqyrje të shtuar nga Inspektorati i Tregut.

E pikërisht sot Shoqata e Naftëtarëve ka paralajmëruar uljen e çmimit të derivateve. 

Kryetari i Shoqatës Fadil Berjani ka paralajmëruar ulje të çmimeve pasi që presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi për armëpushim në luftën Iran-Izrael, që ishte shkak i shtrenjtimit.

“Sot është ditë e bukur me diell. Besoj se do të jetë lajm i mirë. Do të ketë rënie të çmimeve. Presidenti amerikan e ka bërë luftën siç e bëri, por ai nuk do të lejojë çrregullime në tregun ndërkombëtar. Kosova është treg i vogël, po bëhet panik i madh. Mund ta shihni që sot dizeli është 1.24 euro e benzina 1.23. Por nëse diku është 1.3 euro, qytetari ka mundësi të zgjedhë çmimet ku të dojë sepse jemi shteti më i vogël në botë me më së shumti pika karburanti. Gjasat janë të mëdha që të ketë rënie, por jo rënie të madhe sepse ashtu-kështu çmimet nuk janë të larta”, ka thënë ai për KTV-në të martën në mëngjes.

Çmimet e naftës qe dy javë kanë shkuar duke u ngritur në Kosovë. Shtrenjtimi u bë për rreth 15 centë në litër. Naftëtarët e kanë lidhur këtë me shtrenjtimin e derivateve në tregjet ndërkombëtare, në të cilat tani ka nisur ulja e çmimit.

Sipas Berjanit, shtrenjtimi erdhi nga ngritja e çmimit prej 50 dollarësh në ditë në ton në bursa ndërkombëtare. E Berjani ka thënë se të hënën rënia ishte rreth 20 dollarësh dhe po vazhdon edhe të martën. Sipas tij, kjo nënkupton ulje fillestare prej 2 centësh. Ai ka thënë se dita e dytë dhe e tretë janë definitive për të përjetuar rënie të çmimeve.