Dita e të Pagjeturve, të martën, është shënuar edhe me fillimin e punimeve për ndërtimin e Kompleksit të varrezave të martirëve në Krushë të Vogël të Prizrenit. Përfaqësues të këtij fshati kanë theksuar se dhimbja e familjarëve është e madhe, për faktin se mbi gjysma e martirëve të këtij lokaliteti ende janë të pagjetur.
"Dhimbja jonë sot e gjithmonë është më e madhe kur e dimë se kemi shumë të pagjetur. Edhe pse kanë filluar punimet e këtyre varrezave, ne kemi shumë dhimbje, përderisa mbi gjysma e martirëve, familjarëve e të dashurve tanë, do ta kenë vetëm një gur mermeri, sepse ende nuk i kemi të identifikuar”, ka thënë Shpresa Shehu nga Krusha e Vogël. Sipas saj për 113 të vrarët në masakrën e Krushës së Vogël deri më tani ekzistojnë vetëm 45 varre. “Kërkojmë nga institucionet qendrore e ndërkombëtare që të bëjnë më shumë punë lidhur me çështjen e të pagjeturve, sepse këto ditë janë ditë dhimbjeje për familjarët”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa banori tjetër i këtij fshati, që njëherësh është Drejtor i Bujqësisë në Komunën e Prizrenit, Agron Limani ka pohuar se me jetësimin e këtij projekti, krushjanët do të kenë një adresë për nderimin e të vrarëve nga forcat serbe. Sipas tij, të pagjeturit janë plagë e hapur e këtij vendbanimi. “Forcat serbe të mbështetur nga serbët lokal 113 civilë shqiptarë përveç që i privuan nga e drejta për të jetuar, i privuan edhe nga e drejta e tyre për të pasur një varr. I privuan edhe familjet e tyre që të kenë një shenjë, ku ti nderojnë me rastin e përvjetorit të tyre”, është shprehur Limani.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka theksuar se në këtë fshat ka ndodhur njëra prej masakrave më të mëdha në Kosovë, ku janë vrarë 113 persona dhe se 68 prej tyre ende vazhdojnë të jenë të pagjetur. “Me këtë rast, duhet edhe njëherë të sensibilizojmë opinionin publik për të gjithë të pagjeturit, dhe për familjet e tyre që ende janë në ankth, me i përkujtu ata dhe me kërku prej Serbisë llogari që ti tregoj vendet se ku i ka fshehur”, ka thënë Haskuka. Ai ka shtuar se ndërtimi i Kompleksit të Varrezave të Martirëve në Krushë të Vogël është një projekt i vonuar, pasi martirët e kësaj ane kanë merituar që një projekt i tillë të kryhet shumë më herët.
Drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Osman Hajdari ka bërë të ditur se në këtë projekt është punuar për më shumë se 2 vite, për ti kapërcyer të gjitha sfidat ekzistuese deri në fillimin zyrtar të punimeve.
“Sipas planit dinamik, punimet duhet të kryhen brenda 150 ditëve. Pra në fund të gushtit ose në fillim shtatorit, projekti duhet të jetë i përfunduar. Kostoja e projektit është 187 mijë euro. Pres prej operatorit ekonomik me qenë i përgjegjshëm dhe me implementu shpejtë projektin”, ka thënë Hajdari. Zyrtari i lartë komunal ka shpjeguar se të gjitha procedurat e varrimit dhe të zhvarrimit të martirëve të Krushës së Vogël do të realizohen në koordinimin me institucionet përkatëse të nivelit qendror.