Arbëri

Krusha e Meja bëjnë thirrje për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Dy ditë para shënimit të 23-vjetorit të masakrës së Mejës dhe të Ditës së të pagjeturve, anëtarët e Komisionit për të drejtat e njeriut vizituan Mejën dhe Krushën e Madhe, dy vendet ku nga forcat serbe u ekzekutuan mbi 500 shqiptarë. Aty ata u përballen me kritikat e familjarëve, të cilët i akuzuan të gjitha qeveritë e pasluftës se nuk kanë bërë mjaftueshëm për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Gjashtëdhjetë e katër varre në varrezat e fshatit Krushë e Madhe të Rahovecit, tash e 23 vjet vazhdojnë të jenë pa emra e mbiemra. Vendet për ta në pllakat e varreve janë lënë bosh, ngase trupat e këtyre të rënëve gjatë luftës nuk janë gjetur ende. Karshi tyre janë të varrosur mbi 200 të vrarë nga forcat serbe, në masakrën e 26 marsit të vitit 1999. Megjithatë emrat e të gjithë të vrarëve janë të shkruar në lapidarin që gjendet në këtë kompleks memorial.

Për moszbardhjen e fatit të tyre, të zhgënjyer të hënën janë shprehur familjarët e të pagjeturve. Kritikat ata ia adresuan një grupi deputetësh, anëtarë të Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pagjeturit, të cilët e vizituan kooperativën “Krusha”, që udhëhiqet nga Fahrije Hoti. Në krah të Fahrijes ishin ulur edhe tri gra të tjera, të cilat punojnë aty e që kanë humbur familjarët gjatë luftës.

Advie Duraku, së cilës ia vranë bashkëshortin gjatë luftës, e kishte të vështirë të fliste. Tregoi se si pas luftës ka hasur në sfida të mëdha për t’i shkolluar fëmijët e saj. “Probleme na kemi pasur, kur kanë qenë fëmijët në shkollë e studentë, problemin më të madh atëherë e kemi pasur, i kanë kry fakultetet e për fëmijët tanë asgjë, e së fundmi ata shkuan në kurbet”, shprehet ajo, teksa thekson se nuk beson që deputetët do t’ua zgjidhin problemet në të ardhmen.

Fahrije Hoti, drejtuese e kooperativës “Krusha” kërkoi trajtim më të mirë nga institucionet, teksa tha se deri tash të gjithë janë të zhgënjyer.

“Ne për pjesën tonë kemi bërë boll, presim nga pozita juaj si deputete të shohim se çka po bëni për këto gra, të cilat një pjesë e tyre janë të zhgënjyera që fati i personave të pagjetur është aty ku është, as nuk e kemi një ligj të veçantë për personat e pagjetur, por edhe këto si kategori viktima civile të luftës, ka ngecur aty ku janë”, ka thënë ajo.

Hoti ka pasur edhe një kërkesë konkrete për përfaqësuesit e popullit.

“Kërkojmë prej juve që kjo kategori e grave le të merret parasysh, të bëhet edhe një status i veçantë për personat e pagjetur ose le të rriten edhe pagat që kanë ngecur aty ku janë me 170 euro qe disa vite”, ka deklaruar ajo.

Deputetët kanë premtuar se projektligjet dhe çështjet e tjera që ndërlidhen me familjarët e të vrarëve gjatë luftës do të shtyhen përpara. Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Tinka Kurti, ka thënë se ekzekutivi ka në agjendë legjislative Ligjin për të pagjeturit. “Edhe për Ligjin e të pagjeturve, ne kemi ne agjendën legjislative, por edhe këto të tjerat që ju i përmendët, mendoj që gjithsesi janë shqetësim dhe diskutim pjesë e punës sonë, është obligim i yni që me u marrë me to, qoftë edhe me pagën që po ashtu, që e përmendët është në procedurë, besoj që e keni parë”, është shprehur ajo.

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, duke i quajtur heroina gratë e Krushës, ka theksuar se asnjë qeveri deri më tash nuk ka bërë mjaftueshëm për to.

“A kemi bërë mjaftueshëm deri sot, është e pamjaftueshme dhe nuk ka asnjë arsyetim, sepse është turp para juve të arsyetohet një mospunë e kësaj qeverie apo të atyre të kaluara pa dallim, kur është në pyetje për ju si nëna, si gra që keni humbur më të dashurit e tuaj dhe ka raste edhe sot nuk e dini ku janë, atëherë ne duhet të përkulemi para juve dhe duhet ta pranojmë që nuk kemi bërë mjaftueshëm për juve. Patjetër se do ta keni bashkëpunimin tonë”, ka thënë Bunjaku.

Anëtarët e Komisionit parlamentar kanë vizituar gjatë së hënës edhe kompleksin Memorial për të rënët gjatë masakrës në Mejë.

Në Mejë, 23 vjet më parë Selim Zyberit i ishte vrarë i biri 17-vjeçar dhe tre familjarë të tjerë. Ai thotë të jetë i zhgënjyer që institucionet nuk punuan as në vënien e drejtësisë dhe as për t’i nderuar të rënët.

“Për çështjen e pushtetarëve, na kemi vetëm fjalë dhe vepra të hidhura për ta. Pse? Ata kanë ardhur për të na vizituar vetëm për zgjedhje, qofshin ato lokale apo nacionale, kur kanë pasur interesa vetëm për ta verbëruar këtë popull me gënjeshtra”, është shprehur Zyberi.

Ai ka treguar se dhimbja i shtohet kur e sheh që kompleksi memorial në këtë fshat të Gjakovës është ende i papërfunduar.

“Varrezat edhe pse janë bërë para një viti, kanë filluar të mënjanohen për shkak të parregullsisë së bazamenteve që nuk i kanë bërë siç duhet”, ka thënë ai.

Kompleksi Memorial në Mejë, ku janë të varrosur trupat e mbi 300 shqiptarëve të ekzekutuar nga njësitet ushtarake e policore serbe, ka nisur që të ndërtohej në vitin 2013, porse ende nuk është përfunduar në tërësi.

Në Kosovë në vitet 1998-1999 janë vrarë afro 13.500 persona, shumica shqiptarë. Nga 6000 mijë të zhdukur, që janë raportuar pas lufte, ende kërkimet vazhdojnë për 1 mijë e 630 persona.