Arbëri

Rivarrosja e shtatë martirëve, thirrje nga Krusha e Vogël

Mbetjet mortore të Nuredin Shehut, Hysen Zylfiut, Ahmet Berishës, Nue Prenkajt, Sahit Shehut, Sami Shehut e Skifter Batushës janë rivarrosur në fshatin Krushë e Vogël, ku të shtunën është shënuar 23-vjetori i masakrës së kryer nga forcat serbe. Derisa banorët presin zbardhjen e fatit edhe të të pagjeturve të tjerë, liderët institucionalë kanë thënë se masakrat serbe nuk mund të harrohen

Mbetjet mortore të shtatë viktimave të luftës nga Krusha e Vogël, të cilët 23 vjet më parë ishin vrarë e zhdukur nga forcat serbe, janë rivarrosur në këtë fshat. Por për të afërmit e viktimave një gjë e tillë nuk është e mjaftueshme meqë sipas tyre, përgjegjësit për masakrën e Krushës së Vogël duhet të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimet e merituara. Ndërkohë, liderët institucionalë kanë pohuar se këto krime vazhdojnë që të mohohen nga Serbia.

Pas 23 vjet pritjeje, Gani Zylfiu të shtunën ka varrosur babanë e tij. Paralelisht me dhimbjen, është i zhgënjyer edhe me drejtësinë, për shkak të mungesës së dënimeve drakonike ndaj kryesve të krimeve të luftës në këtë fshat. Ai vite më parë kishte varrosur njërin prej vëllezërve të vrarë. Ndërsa vëllai tjetër i tij, Nazimi, mbetet i zhdukur, sikurse edhe dhjetëra të pagjetur tjerë.

“Por mungesa edhe e 60 të pagjeturve është numër shumë, shumë i madh”, ka thënë ai.

Mungesën e të afërmve që ende konsiderohen të zhdukur sipas udhëheqëses së fshatit, Shpresa Shehu, po e ndiejnë edhe shumë familje krushjane.

ende jetojmë me plagët e thella duke pritur çdo ditë lajm për identifikimin e më të dashurve tanë; dhimbja është e madhe, pritja është e rëndë”, ka deklaruar Shehu.

Ndërsa përfaqësuesit institucionalë kanë bërë të ditur se historia e Kosovës nuk mund të shkruhet pa Krushën e Vogël dhe Krushën e Madhe, ku shqiptarët kishin pësuar nga forcat serbe një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vetëm shpirti i qytetarëve të këtij lokaliteti e di dhimbjen e asaj dite dhe gjurmët e pandreqshme e të përjetshme që ka lënë tek ata.

“112 shqiptarë u vranë në këtë masakër. 70 për qind e burrave dhe djemve të fshatit, të moshës nga 13 deri në 77 vjeç u zhdukën. 82 gra humbën bashkëshortët e tyre e 145 fëmijë mbetën pa baballarë. Sot, përveç para atyre që s’janë më, përkulemi edhe para forcës suaj, të mbijetuarve të kësaj masakre, për të ngritur jetë mbi zbrazëtinë dhe hirin që gjetët kur u kthyet pas tre muajsh në fshatin tuaj. Nga 145 shtëpi banimi, vetëm 8 i shpëtuan djegies dhe shkatërrimit nga aksioni serb. Aksion ky që kishte filluar një ditë pas intervenimit ushtarak të NATO-s, për të ndalur gjenocidin e regjimit të Beogradit. Çdo ditë hapeshin varre për shqiptarët civilë të paarmatosur, që vriteshin, masakroheshin e digjeshin në shtëpitë e tyre. 23 vjet pas, sot po hapen edhe 7 varre në tokën e Kosovës, për viktimat e këtyre krimeve gjenocidale, që vazhdojnë të mohohen nga Serbia”, ka thënë Kurti.

Andin Hoti nga Komisioni qeveritar për persona të zhdukur ka theksuar se 23 vjet më parë forcat serbe kanë treguar barbarinë e tyre në raport me shqiptarët e Krushës.

“Sot 23 vjet më pas, Krushës i rikthehet dhimbja dhe i ripërtërihen plagët ende të pashëruara me varrosjen e eshtrave të 7 martirëve të familjeve Shehu, Zylfiu, Prenkaj, Batusha e Berisha”, është shprehur ai.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka shprehur qëndrimin se gjatë muajit mars kujtohen sakrificat, vështirësitë, dhimbjet nëpër të cilat ka kaluar populli bashkë me krenarinë për rezistencën dhe luftën e pastër për të mbrojtur vendin e për ta fituar lirinë.

“Vrasjet, masakrat, keqtrajtimet, dëbimet e granatimet që i janë bërë popullit civil të Kosovës në javën e fundit të marsit të vitit 1999 do të mbeten pjesa më e dhimbshme dhe më e paharrueshme në kujtimet tona”, ka thënë ai.

Në masakrën e Krushës së Vogël të kryer nga forcat serbe më 26 mars 1999, janë vrarë 112 shqiptarë.