Arbëri

Në Ditën Botërore të Autizmit me marsh kërkohen kushte më të mira për këtë kategori

Mirlinda Grantolli, nëna e Misin Shurdhajt, i cili vijon mësimin në klasën e parë, tregon se vetë ia paguan asistenten djalit të saj.

Fëmija i saj me autizëm, ndjek mësimin në shkollën fillore “Dardiania”, por ndihmohet nga asistentja që paguhet nga familja 150 euro në muaj, pasi këtë deri tash nuk ua ka financuar shteti, raporton KTV.

Në dhjetor të vitit të 2017, Kuvendi i Kosovës, për një votë nuk e kaloi amendamentin që do ta obligonte Qeverinë e Kosovës të paguajë 100 psikologë dhe 50 asistentë, për fëmijët me nevoja të veçanta nëpër shkollat publike.

Në seancën e 22 dhjetorit 2017, 42 deputetë votuan kundër, ndërsa 41 të tjerë pro këtij amendamenti të iniciuar nga deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci.

Disa nga deputetët e PDK-së, AAK-së dhe Nismës, të cilët votuan kundër këtij amendamenti e kishin arsyetuar votën e tyre duke thënë se kjo nuk u mbështet nga Komisioni për Buxhet dhe Financa.

Por, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi nëpërmjet telefonit i ka thënë KTV-së, se këtë vit do të punësohen 100 asistentë, e po ashtu edhe 2 vjetët e ardhshëm nga 100 të tjerë.

Kurse, kryetari i Komisionit për Arsim, Ismail Kurteshi, pret që sa më shpejt të realizohet premtimi për angazhimin e asistentëve dhe psikologëve nëpër shkolla.

Me moton “Të gjithë dallojmë, jo vetëm unë”, është mbajtur marshi sensibilizues në Prishtinë, në ditën që ka për qëllim të informojë për personat me autizëm. Pjesëmarrësit në marsh kanë kërkuar që kësaj kategorie të qytetarëve, t’u mundësohen të gjitha të drejtat.

Në Kosovë llogaritet se jetojnë afër 19 mijë persona me nevoja të veçanta, të ndarë në gjithsej 8 kategori.