Kryeshefi i ndërmarrjes “Sport Marketing” në Komunën e Prishtinës, Bardh Krasniqi, ka thënë se po planifikojnë që një pjesë të Pishinës së Gërmisë ta kthejnë në vend patinazhi gjatë stinës së dimrit.
Krasniqi ka thënë se synojnë që Pishina e Gërmisë të mos jetë e mbyllur as gjatë dimrit, “në mënyrë që të decentralizohet qendra dhe njerëzit të vijnë këtu për të marrë ajër të pastër”.
“Pishina veç e ka bazamentin, është mëse e përshtatshme për patinazh, mund të realizohet shpejt dhe me kosto të ulët. Sivjet jemi duke punuar për një projekt gjysmë-patinazhi, pasi e tëra është hapësirë shumë e madhe”, ka thënë ai në “038” të KTV-së.
Krasniqi ka folur edhe për një projekt tjetër në Pishinën e Gërmisë, për të cilin s’ka dhënë detaje pasi ka thënë se nuk është finalizuar ende.
Kryeshefi i “Sport Marketing” e ka cilësuar si një verë të suksesshme për Pishinën e Gërmisë pasi renovimeve që u bën aty.