Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Deçan dëmtohet pllakati që informonte për mbrojtje të mjedisit

Përfaqësues të organizatës “Pishtarët” kanë njoftuar se në Deçan janë dëmtuar pllakatet me të cilat organizata synonte të ngrisë vetëdijen e popullit në mbrojtje të mjedisit.

Sipas një reagimi të kësaj organizate, aktet dëmtuese ndaj posterëve kanë kaluar në “nivele të dhunshme”.

“Organizata ‘Pishtarët’ ka filluar një kampanjë informimi në qytetin e Deçanit me qëllim të ngritjes së vetëdijes për të drejtat tona kushtetuese në mbrojtje të mjedisit, që i kemi përgjegjësi secili. Por menjëherë është vërejt se dikush po i largon posterët të cilët janë zëvendësuar nga ‘Pishtarët’. Por sot organizata është informuar se këto akte dëmtuese kanë kaluar në nivel edhe më të dhunshëm, është bërë tërheqja me dhunë e pllakës informuese të hekurt që ka qenë e vendosur gati një metër thellë në tokë”, thuhet në reagimin e së enjtes.

Pllakati ishte i vendosur në një pronë private, përballë hidrocentralit në Deçan. Ajo është zonë afër Manastirit të Deçanit, pjesë e zonës së veçantë dhe të mbrojtur nga KFOR-i.

Në të, sipas organizatës, shkruhej: “Lumbardhi nuk falet. Kushtetuta e Republikës së Kosovës Neni 52. Mbrojtja e Mjedisit, obligim për secilin”.

Teksa ka kërkuar reagim nga institucionet përgjegjëse, organizata ka thënë se për largimin e kësaj pllakate është dashur të përdoret makineri e rëndë.

Edhe Ministria e Mjedisit paditet për vazhdimin e lejeve mjedisore për hidrocentralet në Deçan Arbëri Ministria e Mjedisit paditet për vazhdimin e lejeve mjedisore për hidrocentralet në Deçan

Hidrocentrali në Deçan ka qenë një nga më të përfolurit dhe të kritikuarit nga organizatat që luftojnë për mbrojtjen e ambientit.

Organizata “Pishtarët” ka thënë se rastin e ka lajmëruar në Polici dhe autoritetet e KFOR-it.