Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Pishtarët” i drejtohen Quintit për hidrocentralet në Deçan

Organizata “Pishtarët” ka adresuar letër te vendet e Quintit dhe institucionet përgjegjëse në Kosovë lidhur me hidrocentralet dhe kompaninë Kelkos.

Përmes letrës së dërguar, Pishtarët thonë se javën e kaluar është konfirmuar se disa zyrtarë në Ministri të Ambientit, brenda Divizionit të ujërave, kanë filluar një proces të fshehtë dhe pa pjesëmarrje publike, që të lidhin marrëveshje me kompaninë austriake, Kelkos Energy që në emër të Kosovës të lëshojnë leje ujore për hidrocentralin Lumbardhi II, në Lumbardh të Deçanit.

“Kjo leje është pikërisht e rëndësishme dhe është alarmante të konsiderohet sepse Kelkosi nuk ka përmbushë asnjë detyrim ligjor që të vijë tek kjo leje edhe pasi: Kelkosi ka shkaktuar ekocid në vendin e quajtur Zalli i Rupës përmbi Lumbardh, dhe ka gati 10 vite që nuk po ndërmerr asnjë hap drejt rehabilitimit; Kelkosi nuk ka bërë ndërtimin e bazenit akumulues në Zallin e Rupës, siç e parasheh projekti i tyre që e ka pranuar Kosova; Kelkosi ka nënshkruar kontratë me komunën e Deçanit në Mars 2012 që kërkon të përmbushë një varg detyrimesh ndaj deçanasëve, por prapë, nuk ka përmbushë ASNJË detyrim në të mirën tonë”, thuhet në njoftim.

Në letër thuhet se kanë mësuar nga Ministria e Ambientit se lëshimi i kësaj leje po trajtohet në mënyrë urgjente dhe se po shkruhet një “raport gjeologjik” pa asnjë studim, për të mbuluar ekocidin në Zallë të Rupës.

“Gjithashtu, kanë kaluar gati 10 vite që Kelkosi po refuzon të respektojë anën e tyre të kontratës me Deçanin. Ne si deçanas e kemi respektuar anën tonë, sa që të gjitha këto shkelje i kanë bërë, edhe lumin e Zallit të Rupës e zhduken, por ata ende janë këtu, dhe ne po ju japim shanse që të respektojnë ligjin dhe që të bëhen pjesë e komunitetit tonë. Duke marë parasysh se kontrata e Kelkosit me Deçanin përmban të gjitha pikat e duhura ligjore për të ardhur te Leja Ujore dhe se komuna e Deçanit dhe Ministria e Ambientit jo vetëm që nuk po kërkojnë zbatim e saj por edhe po e fshehin nga publiku, ju lutem të keni parasysh se banorët e Deçanit janë të vetmit trup legjitim që së bashku mund të vendosin për detajet e zbatimit të kësaj kontrate, që përfshin rehabilitimin dhe bazenin akumulues. Zyrtarët në Ministri mund të bëjnë vetëm marrëveshje personale me Kelkosin dhe asesi në emër të Kosovës dhe aq më pak të deçanasve”, thuhet në letrën e "Pishtarëve".

"Pishtarët" thonë se një marrëveshje e tillë është një kërcënim për sundimin e ligjit në Kosovë dhe sipas tyre, nëse ndodhë një gjë e tillë, Kelkosi dhe zyrtarët përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi në Kosovë dhe gjykatat ndërkombëtare.