Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj ka thënë se ajo që është e veçantë, kur janë në pyetje diplomatët evropianë, është interesimi i tyre që sa më parë të sqarohet fati dhe pozicioni politik i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në Interaktiv të KTV-së, ai ka folur për hezitimin e bashkësisë ndërkombëtare që ta kontaktojë Thaçin.
“Ai formalisht vazhdon të jetë presidenti i Kosovës dhe në këtë cilësi edhe kishte nënshkruar zgjatjen e mandatit të EULEX-it, pasi BE-ja e ka përsipër edhe menaxhimin dhe mbështetjen finaciare të Speciales dhe EULEX-it. Prandaj, ka edhe interesim të madh që të sqarohet fati i Thaçit në aspektin politik, sepse ka frikë që kjo mund të ndikojë në dialog”, ka thënë ai.
Palokaj po ashtu ka folur për takimin e parë me praninë fizike midis Hotit dhe Thaçit. Takimi i tyre të enjten, ishte i pari pas 20 muajsh, ndonëse tani kishte ndryshim të madh, pasi Kosova deri më tani është përfaqësuar nga presidenti Hashim Thaçi, teksa tani përfaqësohej nga Hoti.
Akterë tjerë të rinj në skenë ishin i përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Edhe
Palokaj: Masat politike të BE-së më të buta se ato financiare ndaj Kosovës
I vetmi që kishte qenë më parë ishte presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Takimi u konsiderua jashtëzakonisht i rëndësishëm nga BE-ja, e cila e theksoi se tani e ka timonin në dorë për ta ndërmjetësuar këtë dialog.
“Dihet se ka pasur megjithatë një xhelozi nga BE-ja dhe frikë mos SHBA-ja vërtet po ndërmjetëson një marrëveshje të shpejt historike, ndonëse nga SHBA-ja nuk ka një ambicie të tillë, por më shumë ka qenë një pritje në opinion”, ka thënë Palokaj.
Palokaj ka folur edhe përmbajtjes së takimit të së enjtes.
“Interesant ka qenë se ka zgjatur shumë më pak. Ishte fituar përshtypja se edhe këtë herë do të shkojë në orët e vona të mbrëmjes, por shumë shpejt përfundoi. Më shumë zgjatën takimet dypalëshe, në mënyrë që takimi i përbashkët të jetë më efektiv. Nëse u referohemi deklaratave, është diskutuar për çështjen e të zhdukurve. Por edhe këtu, secila palë e paraqet pikëpamjen e vet”, ka thënë ai.
Palokaj po ashtu ka folur për çështjen e dytë, që është diskutuar gjatë takimit.
“Është diskutuar për bashkëpunimin ekonomik dhe është thënë se do të formohet një ekip teknik që do ta vazhdojë dialogun. Takimi i parë teknik pritet të mërkurën që vjen”, ka thënë Palokaj.
Edhe
Palokaj e quan qesharake ankesën e BE-së se situata në Kosovë po e vonon dialogun 15-vjeçar
Palokaj po ashtu e ka përmendur faktin se dialogu është zhvilluar në rrethana të jashtëzakonshme.
“Në Belgjikë ka ende kufizime”, ka thënë ai.