Në 21-vjetorin e çlirimit të Prizrenit është bërë përurimi i punimeve për ndërtimin e parkut memorial kushtuar Ekrem Rexhës – Komandant Drinit.
Autoritetet komunale kanë pohuar se jetësimi i këtij projekti është i vonuar, marrë parasysh kontributin e komandant Drinit në çlirimin e Prizrenit, raporton KOHA.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka theksuar se qyteti është dashur që ta ketë shumë më herët një memorial kushtuar Komandant Drinit.
“Faktikisht është më meritori në aspektin e çlirimit të qytetit tonë, i cili ka kaluar pa pasoja shumë të mëdha për popullatën ngase ushtria serbe ka pasur shumë plane të errëta për qytetin e Prizrenit”.
Ndërsa familjarët e komandantit të shquar janë shprehur mirënjohës për të gjithë ata që kanë kontribuuar në realizimin e këtij projekti.
Sipas tyre, jo rastësisht është përzgjedhur data 12 qershor, pasi që me iniciativën e planin e Komandant Drinit dhe bashkëluftëtarëve të tij është çliruar Prizreni, 21 vjet më parë.
Edhe
Familjarët e komandant Drinit kërkojnë zbardhjen e rastit ose “mbylljen e tij”
“Për neve si familje kjo ditë është shumë e rëndësishme, pasi që plot 20 vite kanë kaluar nga vrasja dhe sot është ditë e veçantë pasi që vihet gurthemeli i memorialit të Ekrem Rexhës, Komandant Drinit”.
Pas kësaj ceremonie, në oborrin e Shtëpisë së Bardhë në Prizren organizatat e dala nga lufta kanë organizuar një takim në kujtim të datës së çlirimit të Prizrenit dhe marshimit të UÇK-së drejt qendrës së Prizrenit më 12 qershor 1999.