Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në “1 Tetori” po ofrohet vetëm vaksina “AstraZeneca”

Foto: Alban Bujari / KOHA

Disa qytetarë që kanë caktuar terminin për vaksinim këtë të martë në sallën “1 Tetori” në Prishtinë janë duke u kthyer prapa pasi kanë refuzuar që të marrin vaksinën “AstraZeneca” e cila ka qenë e vetmja që u është ofruar sot. Sipas qytetarëve, ekipet shëndetësore në këtë qendër u kanë thënë se ky është vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë.

KOHA është në pritje të një përgjigjeje të MSH-së lidhur me këtë çështje.

Vendi në javën e fundit ka pranuar rreth 200 mijë doza të vaksinës “Pfizer” dhe rreth 180 mijë “AstraZeneca” të dhuruara nga Norvegjia. Që nga 15 qershori ka nisur procesi i vaksinimit masiv, ndërsa me ardhjen e dozave “Pfizer”, të blera nga Qeveria, është shtuar numri i kërkesave të qytetarëve për vaksinim.

Në nivel vendi janë dhënë 206 mijë doza, ndërsa afër 50 mijë është numri i qytetarëve që kanë marrë të dy dozat.

Kosova ka kryer vaksinime vetëm me “AstraZeneca” dhe “Pfizer”. Të parën e ka pranuar vetëm përmes donacioneve, ndërsa për “Pfizer”, pos dhurimeve ka edhe marrëveshje për 1.2 milionë doza deri në fund të vitit.