Në Ditën Botërore të Përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, janë ndezur 93 qirinj për 93 viktimat në aksidentet rrugore gjatë këtij viti. Kjo u organizua nga Kolegji Tempulli në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Organizatori Muhamed Krasniqi me këtë rast, iu bëri thirrje për kujdes ngasësve të automjeteve në komunikacion.
“Sapo ndezëm qirinjtë për të kujtuar jetët e humbura brenda vitit 2025, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë… Janë bërë 10 vjet që kur shënohet në Kosovë në formë zyrtare. Secila jetë e humbur është një talent i humbur, dashuri, andaj përmes këtij veprimi ju bëjmë thirrje të gjithë ngasësve të automjeteve, që të jenë me të kujdesshëm me veprimet e tyre sepse me humbjen e një jete fillon një dhimbje në familjen e shoqërinë e viktimës. Secili prej neve që jemi në rrugë kemi përgjegjësi ligjore për veprimet tona. Ne deri më tash kemi arritur ta ulim numrin e viktimave në 24 për qind dhe deri në vitin 2030, uroj që bashkërisht me angazhim qytetar e institucional ta përmbushim këtë objektiv se Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, tha Krasniqi, raporton "KosovaPress".
Kjo ngjarje u organizua te "New Borni".
Ndërkohë nënkoloneli në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi me këtë rast kujtoi që në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, Kosova është renditur ndër vendet e sigurta në trafik.
“Për vitin 2024 edhe në raportin e progresit edhe në raportin që ka prezantuar Komisioni Evropian para tri ditëve, Kosova u rendit ndër vendet e sigurta sa i përket fataliteteve në rajon. Në Kosovë janë 93 viktima që kanë humbur jetën në trafikun rrugor. Policia e Kosovës ka prioritet trafikun rrugor. Duhet të ketë më shumë respektim të rregullave, më shumë infrastrukturë rrugore, por edhe pjesa e infrastrukturës ligjore… Janë 82 raste ( për 11 muaj 2025) që kanë humbur jetën 93 persona”, tha Rexhepi.
Këtë vit shënohet viti i dhjetë në Kosovë që përkujtohen personat që kanë humbur jetën tragjikisht në aksidente rrugore.
Ditë më parë, Policia e Kosovës publikoi raportin e Indeksit Global të Krimit të Organizuar 2025, ku Kosova është renditur si vendi me nivelin më të ulët të kriminalitetit por edhe me numrin më të vogël të viktimave nga aksidentet fatale në Ballkanin Perëndimor.