(23:25) - Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë po vazhdon numërimi i votave për kandidatët për deputetë, por sistemi i KQZ-së herë pas here po paraqet probleme.
Bie sistemi edhe në numërimin e votave për deputetë
(22:10) - Aktualisht (rreth orës 22:00) ka rënë sistemi ku po futen të dhënat nga numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në Qendrën Komunale të Numërimit në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, raporton KosovaPress.
Po ashtu në një nga tavolinat e numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, është anuluar numërimi i deritanishëm, duke u ripërsëritur për shkaqe teknike.
Sipas komisionerëve që po numërojnë votat, kjo mund të ketë ndodhur ngase një fletëvotim është numëruar dy herë, apo gabimisht është klikuar dy herë i njëjti kandidat për deputet, për çka sistemi ka “lajmëruar” parregullsinë.
Rinis numërimi i votave për deputetë në Prishtinë
(21:14) - Ka rinisur numërimi i votave për kandidatët për deputetë në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, pas disa minutash ndërprerje.
Ndërpritet numërimi i votave për deputetë në Prishtinë
(20:38) - Në qendrën komunale të numërimit në Prishtinë është ndërprerë numërimi i votave për kandidatët për deputetë, ka raportuar RTK-ja.
Shkak për ndërprerjen është bërë një problem në sistemin e procedimit, por edhe një incident mes vëzhguesve.
Raportohet se vëzhguesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike janë përplasur për shpalljen ose jo të një vote të pavlefshme.
Në vendngjarje ka dalë edhe prokurori.
Numërimi i votave për deputetë në qendrat komunale të numërimit ka pasur të nisë dje. Madje, edhe sot, numërimi ka nisur vetëm në Prishtinë, Obiliq, Lipjan e Partesh. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë se në komunat e tjera, numërimi pritet të nisë nesër.
Ka pasur shumë ankesa për mosefikasitetin e KQZ-së në këto zgjedhje.
KOHA ka kontaktuar me KQZ-në për të marrë më shumë informacionet. Posa të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.