Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë ka nisur të mërkurën edhe në 14 komuna. Në 20 komuna të tjera, ky proces ende nuk ka nisur. Tek e kanë justifikuar vonesën me ndërlikueshmërinë e procesit, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë thënë se para shpejtësisë së shpalljes së rezultateve, rëndësi ka saktësia e procesit
Tri ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë nuk ka nisur ende në 20 komuna.
Krahas Prishtinës, Lipjanit, Obiliqit e Parteshit, ku numërimi ka nisur një ditë më parë, të mërkurën ky proces ka filluar edhe në 14 komuna të tjera.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Gjatë ditës së sotme, e mërkurë, në orën 16:00 është planifikuar të fillojë procesi i numërimit në qendrat komunale të numërimit në komunat: Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut, kurse në orën 13:00 ka filluar numërimi në Hanin e Elezit”, ka theksuar Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
Ai e ka justifikuar vonesën në nisjen e numërimit të votave me zhvillimin për herë të parë të këtij procesi në qendrat komunale të numërimit, e të cilin e quajti të ndërlikuar.
“Funksionalizimi i qendrave të numërimit është mjaft kompleks, duke pasur parasysh qindra aktivitete, të cilat duhet të zhvillohen këtu para se të bëhet gati një qendër komunale e numërimit për të filluar procesin e numërimit të votave të kandidatëve dhe verifikimit të votave të subjekteve politike”, ka deklaruar Elezi.
Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, sipas rregullores së KQZ-së për qendrat komunale të numërimit, është dashur të nisë qysh në orën 8 të mëngjesit të parë pas zgjedhjeve.
E sipas Elezit, me rëndësi është saktësia e rezultatit, për çka tha se është duke u punuar në tejkalimin e problemeve që e kanë përcjellë procesin e publikimit të tyre.
“Ajo çka është me rëndësi për KQZ-në nuk është vetëm shpejtësia për të dalë me rezultate përfundimtare, por saktësia, do të thotë që çdo votë të evidentohet me saktësi dhe që vullneti i votuesve të evidentohet”, është shprehur Elezi.
Deri në mesditën e së mërkurës, KQZ-ja ka procesuar në platformën e saj online 99.57 për qind të rezultateve. Bazuar në këto rezultate, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë me mbi 40.8 për qind të votave, e pasuar nga PDK-ja me 22.03 për qind, LDK-ja me 17.61 për qind e AAK-ja me 7.46 për qind të votave.