Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se nga sot ndërpriten të gjitha vizitat e familjarëve dhe të tjerëve për të burgosurit.
Vendimi, sipas SHKK-së, është konform masave të marra të mërkurën nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e koronavirusit, njofton SHKK-ja.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës duke kërkuar mirëkuptim nga të gjithë, njofton opinionin publik, familjarët e të burgosurve dhe të burgosurit, se për shkak të masave parandaluese rreth Koronavirusit (COVID – 19), me vendim të Qeverisë së Kosovës, nga sot, me datë 12 mars 2020, deri me datë 27 mars 2020, ndërpriten të gjitha vizitat familjare nëpër të gjitha institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit”, thuhet në njoftim, raporton Koha.
Sipas SHKK-së, të burgosurve do t`iu mundësohen telefonata me të shpeshta me familjarë dhe komunikim virtual përmes aplikacionit Skype, i cili tashmë është i instaluar nëpër disa qendra korrektuese dhe shumë shpejt nëpër të gjitha qendrat.
SHKK-ja ja treguar edhe për masat tjera të marra.
“Ndalohen transferimet nëpër burgje për të burgosurit; Reduktim të transportit në gjykata dhe prokurori (vetëm në raste shumë emergjente); Kontroll të vazhdueshme të stafit nga mjeket të cilët veç janë në qendra korrektuese dhe ato të paraburgimit; Kontrolle të vazhdueshme të të burgosurve, të cilët kanë ndonjë simptomë infektive; Furnizim brenda burgjeve për të burgosurit me material higjenik, siç janë: Shampon, sapun dhe dezinfektues për duar; Furnizim me ujë të nxehtë 24 orë brenda burgjeve”, thuhet tutje në njoftim.