Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Naser Osmani e Atdhe Gashi dënohen me nga tre vjet burgim për “3-përqindëshin”

Ish-deputeti i LDK-së, Naser Osmani, dhe Atdhe Gashi, dikur këshilltar i ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshi, janë dënuar me nga tre vjet burgim për veprën penale “shpërdorim”, në rastin e Fondit të 3-përqindëshi.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar të premten se ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve Naser Osmani dhe Atdhe Gashi për shkak se siç thuhet, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “shpërdorimi”.

“I akuzuari Naser Osmani është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tri vjet, për veprën penale ‘shpërdorimi’ nga neni 257 paragrafi 3 lidhur me paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPK-së, i cili dënim do ekzekutohet në afat 15 dite nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi. I akuzuari Atdhe Gashi është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tri vjet, për veprën penale ‘shpërdorimi’’ nga neni 257 paragrafi 3 lidhur me paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPK-së, i cili dënim do ekzekutohet në afat 15 dite nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të akuzuarit janë obliguar që “në mënyrë solidare të kompensojnë dëmin 255.398.41 euro, në afat prej 15 dite prej plotëfuqishmërisë së këtij aktgjykimi në buxhetin e Republikës së Kosovës”.

Gjithash ata janë obliguar që secili veç e veç të paguaj shpenzimet e procedurës penale në shumën prej 500 eurosh në emër të paushallit gjyqësor si dhe shumën prej 20 eurosh në emër të Fondit të Viktimave të Krimit.

Akuza për shmangie nga tatimi ndaj Osmanit e Gashit thuhet se është refuzuar, për shkak të kalimit të afatit të parashkrimit absolut të veprës penale.

“I pandehuri N.O në cilësi të anëtarit të OJQ-U-Forkut në Prishtinë dhe A.G në cilësinë e arkatarit të OJQ-U-Forkut në Prishtinë, në vazhdimësi, përgjate periudhës kohore 2006-2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjellë vetit apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme kishin përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave të tjerë, e cila ju është besuar atyre, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe vendeve të tjera, kontribues në fondin e themeluar atë botë për financim të strukturave të Qeverisë së Kosovës në ekzil, shuma këto prej minimum 3% të të hyrave të tyre personale mujore, e të cilat ishin transferuat në xhirollogarinë e U-Fork, ashtu që kishin tërhequr Shumën prej 255.398.41 euro në cash dhe nuk e kishin arsyetuar e as dëshmuar tërheqjen e kësaj shume” thuhet në njoftim.

Edhe Shpend Ahmeti dënohet me 2 vjet burgim LAJMET E MBRËMJES Shpend Ahmeti dënohet me 2 vjet burgim

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Osmani e Gashi ishin dënuar në këtë rast edhe në vitin 2020, por në vitin 2021 Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim këtë rast.