Arbëri

Nagavci u kërkon mësimdhënësve të mos mbajnë grevë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, u ka kërkuar të mërkurën punëtorëve të arsimit që të mos mbajnë grevë, një ditë para fillimit të vitit të ri shkollor.

Sipas Nagavcit, greva e nisur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk po mbahet në pothuajse mbi 90 për qind të institucioneve publike, duke u bërë thirrje mësimdhënësve ta konsultojnë legjislacionin në fuqi me grevat dhe të mos bien pre e presioneve.

“Edhe pse kjo grevë u shpall nga BSPK-ja, e njëjta nuk është duke u mbajtur në të gjitha institucionet. Sipas informatave tona, mbi 90 për qind të institucioneve publike nuk po mbahet. Andaj unë kërkoj që të mos ketë grevë as në institucione arsimore. Ju siguroj se gjatë mandatit tim i kemi bërë të gjitha sigurimet e mundshme për punëtorët e arsimit. I kam pranuar në takim sa herë që ka kërkuar SBASHK-u. E njohim organizimin sindikal, por duhet të përmendim se respektimi i ligjit nënkupton atë në tërësi dhe jo pjesërisht. I lus punëtorët e arsimit ta lexojnë ligjin në plotëni. Kemi tejkaluar edhe kërkesat e sindikatave në projektligjin e pagave. Është përmirësuar pozicionimi i stafit në sektor arsimor që është lënë anash nga ligjet e kaluara”, ka thënë Nagavci në konferencë për shtyp.

SBASHK-u ka paralajmëruar se punëtorët e arsimit do të jenë në grevë dhe procesi i vitit shkollor nuk do të fillojë më 1 shtator. Sipas SBASHK-ut, greva do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, siç është ndarja e 100 eurove për mësimdhënësit deri në miratimin e Ligjit për paga.

Ndërsa, Nagavci bëri me dije se nga ky vit për herë të parë fëmijët në klasën e parë në Kosovë dhe Shqipëri do të mësojnë nga e njëjta abetare.

Ajo gjithashtu pretendon se për herë të parë tekstet shkollore janë shpërndarë pa vonesa, përveç klasës së pestë, për të cilën thotë se janë ende në proces të shpërndarjes.  

Nagavci: S’besoj se duhet paguar për ditët që nuk punohet

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se bazuar në legjislacionin në fuqi mësimdhënësit që janë futur në grevë nuk do të paguhen për periudhën sa nuk punojnë, dhe kjo është bërë e qartë edhe nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

Nagavci në konferencë për media ka bërë të ditur se këtë duhet ta kenë parasysh mësimdhënësit.

“Raportimet se po bëhet presion që të dërgohen listat e grevistës, më duhet të them se nuk është presion. Komunat dhe gjitha institucionet e kanë obligim të raportojnë në Ministri të Financave. Kjo ka të bëjë edhe me mbrojtjen e të punësuarve, pasi nëse nuk deklarohet se janë në grevë e nuk dalin në punë, atëherë nënkupton se është larguar nga përgjegjësitë. MASHTI sigurisht se nëpërmjet inspektorëve ka kërkuar të dhëna, ka kërkuar edhe në të kaluarën. Komunat janë ankuar dje. Do të vazhdojmë me kërkesat tona e do të përcjellim gjendjen me inspektorë edhe sot, nesër e çdo ditë. Si MASHTI duhet ta dimë se a po punojnë institucionet edukativo-arsimore apo jo. Ka 4-5 shkolla në Prishtinë që nuk kanë shpallur grevë. Ne si ministri s’kemi kërkuar listat, por është me rëndësi të dimë a punojnë apo jo institucionet edukativo-arsimore”, tha Nagavci. “Besoj se ministri i Financave e ka sqaruar në konferencë për media, por edhe në qarkoren e dërguar. Bindja ime është që për ditët e papunuara nuk ka realizim paga. Është mirë që secili ta ketë parasysh këtë”.

Nagavci sa i përket asaj se kur do të hyjë në fuqi Ligji për Paga, ka thënë se nuk varet nga ajo, dhe se ekzistojnë disa afate e procedura në të cilat duhet të kalojë.