Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, “janë pikëlluar që viti shkollor po fillon pa grevë”.
Jasharaj tha se ministrja Nagavci me stafin e saj jo që nuk ka siguruar “laptopë, projektorë e digjitalizim të shkollave, por as tekstet shkollore si ka siguruar”.
“Kur u deklarova publikisht se viti shkollor 2023/2024 do të nisë pa greva dhe se prindërit dhe qytetarët do të gëzohen, por jo edhe kryeministri Kurti e ministrja Nagavci, disa ushtarë në rrjete sociale dolën me atë fjalorin e tyre të ulët ndaj meje. Por, kjo çështja e teksteve shkollore dhe mungesa e tyre e tregoi se unë kam pasur të drejtë”, ka thënë Jasharaj në një reagim publik. Po të kishim shpallur grevë ne SBASHK-u, ministrja sot para medieve do të dilte me lotin në sy për nxënësit e prindërit e duke na sharë e fyer neve të SBASHK-ut e duke i dhënë kështu sinjal ushtarëve në rrjetet sociale, kudo që janë në Evropë, botë e Kosovë që të na fyejnë e na etiketojnë , sidomos mua, që po e dëmtojmë arsimin e Kosovës dhe po cenojmë të drejtën kushtetuese të fëmijëve. Por, ja grevë nuk ka dhe doli sheshit e vërteta nga MASHTI. Tekste shkollore nuk ka si dikur falas, madje as për nxënësit 1-5, por prindërit duhet t’i blejnë ato dhe të presin mëshirën e Hekuran Muratit që t’ua rimbursojë në Kosovën e famshme”.
Jasharaj ka thënë se në situatën aktuale “ministrja Nagavci do të ishte e lumtur që të kishte greva e të fshihte mungesën e teksteve shkollore”.
“Nagavci dhe Qeveria Kurti duhet ta dinë se një numër i madh i familjeve në Kosovë jetojnë në kushte tepër të vështira ekonomike dhe se tekstet shkollore falas për ato ishin ndihmesë e madhe. Tani, me shpikjen e re të ministres prindërit duhet të blejnë tekstet, që vetë Nagavci po thotë se kanë çmim të lartë, dhe të presin mëshirën e Hekuran Muratit e Nagavcit se kur do t’ua qesin ato para pasi të kenë aplikuar. Në këtë situatë që është, Ministrja Nagvaci do të ishte shumë e lumtur që të kishte greva në arsim e ta fshehte mungesën e teksteve shkollore, që janë mjeti i vetëm i punës në shkollat tona të shekullit 21”, ka shkruar Jasharaj.
-
Jasharaj: Qeveria Kurti s’deshi dialog, s’i përjashtojmë protestat e grevën
-
Nagavci thotë se Jashari i SBASHK-ut po ndikohet, e quan të pamatur
-
SBASHK – Nagavcit: Sindikatën tonë s’mund ta shuani
-
Kryetari i AAK-së: Kurti e Nagavci t’u kërkojnë falje prindërve
-
Haradinaj: Kurti e Nagavci t’i kërkojnë falje Kosovës