Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka mbajtur sot një konferencë për media, në të cilën ka folur rreth përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor. Ajo i është referuar edhe grevës së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, duke u thirrur në ndërgjegjen e mësimdhënësve, prindërve e SBASHK-ut pasi siç ka thënë ajo, humbësit më të mëdhenj të grevës janë nxënësit
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar të shtunën se përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor janë realizuar, ndërkohë që tekstet mësimore, të cilat ministria ishte zotuar t’i shpërndante në korrik dhe me të cilat KOHA këtë javë raportoi se disa shkolla ende nuk janë furnizuar, kanë nisur të shpërndahen.
Në një konferencë shtypi, ajo ka folur edhe për grevën që Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës, Kulturës (SBASHK) e ka shpallur nga 25 gushti, duke e quajtur të dëmshme për nxënësit.
“Duke e pranuar se e njohim organizimin sindikal, kërkesat për kushte më të mira të punës… Dua të cek se vetë këto që i përmenda janë disa jemi siguruar t’i ndërmarrim në mënyrë që të lehtësohet puna e mësimdhënësve, por duhet cekur se mosmbajtja e mësimit i dëmton më së shumti nxënësit dhe shkel të drejtën e tyre për arsim. Humbja e së drejtës së mësimit është cenim i së drejtës themelore të fëmijëve për arsim dhe si e tillë është e papranueshme”, ka deklaruar Nagavci.
E pyetur nëse është optimiste për fillimin e vitit të ri shkollor, Nagavci ka bërë thirrje për mobilizim, që të mos ketë grevë më 1 shtator.
“Unë bëj thirrje edhe nga këtu dhe i ftoj të gjithë që të punojmë shumë, sepse bëhet fjalë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Gjithçka në fund të ditës rregullohet e përmirësohet, por humbjet që po u shkaktohen fëmijëve janë të shumta edhe e shfrytëzoj edhe këtë mundësi që të bëj thirrje për mësimdhënësit, për sindikatën, për kryesinë e sindikatës, për prindërit që të mobilizohemi, që viti i ri të jetë i suksesshëm e sidomos kryesisë së sindikatës”, ka kërkuar ministrja Nagavci.
Kërkesat e bazuara të SBASHK-ut ka thënë se i kanë adresuar, derisa ka ironizuar me kërkesën për 100 eurot që i ka kërkuar sindikata deri në miratimin e Ligjit të ri të Pagave.
“Pyetja ime për SBASHK-un për shembull ka qenë pse pikërisht 100 euro, pse jo 300 ose 500 ose 80? Pse vetëm për punëtorët e arsimit, por jo edhe për punëtorët e tjerë?”, ka ironizuar Nagavci.
Këtë e kanë quajtur shaka pa kripë në Këshillin Grevist të SBASHK-ut.
“Kur jemi te kjo kërkesa modeste drejtuar Qeverisë për 100 euro shtesë në paga, ministrja Nagavci bëri një humor pa fije kripe duke na kritikuar se pse paskemi kërkuar pikërisht 100 euro e jo, bie fjala, 300 euro. Ministre ne e kemi ditur se kjo kërkesë është minimale dhe e pamjaftueshme karshi gjithë këtyre ngritjeve të çmimeve, por e kemi bërë, sepse mund të realizohej po të donte Qeveria. Nëse ju mendoni se kemi kërkuar pak dhe nuk e keni me tallje, atëherë si ministre e tërë Arsimit që je, kërko dhe realizo në Qeveri kërkesën tënde për 200 a 300 euro shtesë dhe ne do të jemi më të lumturit e do të ndihemi krenarë me ty”, shkruhet në njoftimin e Këshillit Grevist.
Për mos-humbjen e orëve në shtator në këtë Sindikatë thanë se Ministria e Qeveria duhet të dialogojnë me ta, me qëllim që kërkesat e tyre të përmbushen.
Në këtë konferencë, Nagavci ka folur edhe debatit të rikthyer rreth shamisë në shkolla.
Ka thënë se Kushtetuta e ligjet e Kosovës e përcaktojnë karakterin e shtetit, duke aluduar te shteti laik. Kërkesën për lejimin e shamisë në shkolla e ka cilësuar fushatë të paqëndrueshme e të pabazuar në argumente. Për udhëzimin administrativ që e ndalon bartjen e shamisë në shkolla ka thënë se ka probleme në preambulë, porse rekomandimi ligjor që e ka marrë në ministri për këtë udhëzim është që ai të mbahet në fuqi.
“Nuk ka ndonjë udhëzim administrativ për shaminë, nuk ka pasur asnjëherë aq sa unë di. Gjithë kjo fushatë që e shihni kohën e fundit nuk është e bazuar dhe e qëndrueshme. Është e përcaktuar qartë karakteri i shtetit tonë dhe institucioneve publike. Udhëzimit administrativ të cilit i janë referuar ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta. Është e vërtetë që ky udhëzim ka disa çështje ligjore, sepse preambula së cilës i referohet nuk ka të bëjë specifikisht me kompetencat e MASHTI-t, por rekomandimet janë dhënë që ai udhëzim të mbetet në fuqi. Udhëzimi do të mbetet në fuqi dhe do të shohim si e rregullojmë tutje në aspektin formal ligjor”, ka thënë ministrja Nagavci.