Arbëri

Nagavci: Mosmbajtja e mësimit shkel të drejtat e nxënësve për arsim

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se greva e paralajmëruar nga Sindikata për Arsim i dëmton nxënësit.

Në një konferencë për media ajo theksoi se humbja e mësimit shkel të drejtën e nxënësve për arsim.

Sipas Nagavcit, MASHTI ka ndërmarrë një sërë veprimesh deri tash që ka plotësuar kërkesa të mësimdhënësve dhe se po punon në vazhdimësi për këtë.

“Kemi ndjekur deklarimet e ditëve të fundit që Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar grevën më 25 gusht, duke e pranuar se e njohim organizimin sindikal, kërkesat për kushte më të mira të punës, vetë këto që i përmenda janë disa nga veprimet që i kemi ndërmarrë që të lehtësohet puna e mësimdhënësve. Mosmbajtja e mësimit i dëmton më së shumti nxënësit dhe shkel të drejtën e tyre për arsim. Humbja e mësimit është cenim i së drejtës themelore e fëmijëve për arsim dhe për ne është e papranueshme sepse në vazhdimësi po punojmë që të ofrojmë mbështetje për mësimdhënësit dhe përmirësimin e rezultateve në arsim”, tha ajo.

Nagavci ka thënë se MASHTI në koordinim me komunat, drejtoritë e arsimit dhe shkollat kanë bërë përgatitjet për fillimin e vitit shkollor. Tha se është përmirësuar infrastruktura fizike në shumë shkolla, teksa dha informacione për përgatitjet për vitin shkollor.

“Sivjet të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën do të pajisjen me tekste të reja, ndërsa vitin e ardhshëm të njëjtat do t’u përcillen nxënësve të klasave vijuese. Kemi përmirësuar infrastrukturën fizike në shkolla duke pajisur një numër të shkollave me kabinete, laboratorë, me salla të edukatës fizike, pajisje për mirëmbajtje të shkollave dhe materiale të ngjashme. Gjatë këtij viti patëm paraparë buxhetin për punësimin e 100 asistentëve të fëmijëve me nevoja të veçanta, dhe tash për vitin 2023 kemi miratuar buxhetin për punësimin e 300 asistentëve në institucionet edukativo-arsimore”, tha ajo.

Nagavci për SBASHK-un: Kërkesat po i përdorin për presion

Sa i përket Ligjit për Paga, Nagavci ka thënë se nuk mund të japë afate se si do të arrijë në miratim. Tha se ministria është e hapur për bisedime me SBASHK-un, por theksoi se kërkesat e sindikatës po bëhen për presion.

“Kur thash se jemi të hapur për bisedime, e thash që e kemi përmendur gjithmonë, në interes të nxënësve kemi biseduar, kemi takuar përfaqësues të sindikatës, nxënësve, mësimdhënësve, prindërve, kemi adresuar kërkesat e bazuara dhe të argumentuara dhe tani nuk ka kohë për mëdyshje. Unë besoj shumë që kjo po përdoret me qëllim të presioneve dhe është paksa e instrumentalizuar. Po them bashkëpunim, bashkëpunim që të sigurohemi që fëmijët tanë të mos pësojnë nga kjo. Sa janë mundësitë, si do realizohen kërkesat tjera, do shqyrtohet me kujdes. Pyetja ime për SBASHK-un ka qenë pse pikërisht 100 euro, pse jo 300 apo 500, apo 80. Pse vetëm për punëtorët e arsimit dhe jo tjerët, apo pse për të gjithë punëtorët e arsimit njëjtë”, tha ajo duke shtuar se ministria ka pritur që kërkesat të jenë të arsyeshme dhe të argumentuara.