Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk do ta votojë asnjë propozim të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit.
Ajo ka thënë se shpreson që të enjten, kur do të mbahet seanca e radhës, partitë më të mëdha shqiptare të mos e lëshojnë rastin dhe ta votojnë ministrin në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, si nënkryetar të Kuvendit të Kosovës. Rashiq është kryetar i partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë
“Qëllimi i ynë është që ministri në detyrë dhe deputeti i zgjedhur, z. Rashiq, që e ka njohur në vazhdimësi Republikën e Kosovës dhe ka punuar për të mirën e komunitetit serb duke e njohur Republikën e Kosovës, të jetë pjesë e Kryesisë së Kuvendit dhe nënkryetar i Kuvendit. Dhe asnjë deputet që është i lidhur me strukturat kriminale të mos jetë pjesë e Kryesisë. Ky është qëllimi i Lëvizjes dhe e kemi bërë të qartë edhe me votë”, ka thënë Nagavci për “Interaktiv” në KTV-së.
Emri i Rashiqit u nxor me short të martën, por në votim mori 55 vota.
“ Nuk e kuptoj gjithë këtë zell të PDK-së e LDK-së që kujdesen kaq shumë për Listën Serbe. Pse është gjithë kjo. LDK-ja tashmë ka konsumuar shkelje pasi nuk mori pjesë votim. Aktgjykimi thotë se deputetët duhet të marrin pjesë votim...Çfarë i shtyn të jenë kaq të kujdesshëm me Listën Serbe e derisa kanë qenë tejet jobashkëpunues në rastin më të butë me Lëvizjen Vetëvendosje, që ka fituar 40 për qind në zgjedhje”, ka thënë Nagavci. “...Besoj dhe dua të besoj e uroj, që partitë që përfaqësojnë shumicën shqiptare të mos e humbin shansin që e kemi. Të mos bëjnë edhe mëtutje bllokadë e vonesë të konstituimit të Kuvendit”.
Nagavci ka thënë se për t’u adresuar çështja në Kushtetuese duhet të jenë dhjetë deputetë, e Lista Serbe i ka nëntë deputetë.
“Me votimin eventual të Rashiqit, Kuvendi nis punën e fillon të ecë afati për zgjedhjen e qeverisë”, tha Nagavci.
Ajo tha se mund të jenë dy arsye pse PDK-ja dhe LDK-ja nuk e kanë votuar Rashiqin.
“E para duan ta pamundësojnë Kurtit që të vazhdojë me propozimin për votimin e qeverisë. Apo janë tepër të interesuar të kenë Listën Serbe si partnere e aleate, siç e kishin deri më tash në gjitha qeveritë e kaluara”, tha Nagavci.
Nagavci arsyeton gjuhën e Bashës: Të vërtetën e ka thënë pa e zbukuruar
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci e ka arsyetuar gjuhën e kryetarit të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ndër vite. “Langarec” ishte një prej termave më të përdorur të Bashës në rrjete sociale, teksa ofendime ka përcjellë edhe për gazetarët e ndërkombëtarët. Në një rast, Basha pati përdorur shprehje +18 në rrjete sociale.
E, Nagavci ka thënë se deklaratat që ai ka bërë në raport me deputetët e partive opozitare “kanë qenë zgjedhja e tij për të bërë debatin politik”, ndërsa kur për disa herë është pyetur për ofendimin ndaj ndërkombëtarëve, ajo është mbështetur te vota e qytetarit.
“Përkundër diskutimeve dhe mënyrës se si kryetari Basha në dy legjislaturat e ka pasur paraqitjen e tij, qytetarët e kanë dhënë besimin që ai të jetë edhe një herë. Sot Basha pat një udhëheqje shumë të mirë të seancës”, ka theksuar ajo në “Interaktiv”.
Sipas Nagavcit, kryetari i ri i Kuvendit e ka vendosur që “të vërtetën ta thotë pa e zbukuruar”.
“Ai ka vendosur që të vërtetën ta thotë pa e zbukuruar dhe ta thotë si e ka menduar. Ajo që është më e rëndësishme, përtej deklaratave, nëse PDK-ja flet për kryetarin e Kuvendit është mirë të mendojë pak për përfaqësimet e saj që i ka pasur ndër vite”, u shpreh ajo.
Ministrja në detyrë ka akuzuar se akterëve politikë të partisë së saj po u bëhet dhunë verbale, e madje se edhe ndaj gjuhës së Bashës është folur “në mënyrë cinike”.
“Është bërë shumë tepër që të ushtrohet dhunë verbale dhe në forma të tjera ndaj personave të caktuar politik pa asnjë argument. Shumë prej nesh, përfshirë mua, jemi sulmuar pa të drejtë. Nuk ka kritika për vendimet, veprimet e tjera si këto. Madje edhe për gjuhën e z. Basha është folur shumë herë në mënyrë cinike, nganjëherë duke e nxjerrë jashtë kontekstit”, ka deklaruar Nagavci.
Kryekuvendari Dimal Basha ka pasur reagim të ashpër ndaj ndërkombëtarëve në të kaluarën duke u thënë se “po na shesin përralla”. Për gazetarët pati thënë se “Qeveria ua ka ndaluar tagjinë”, e RTK-në e pati krahasuar me televizionin shtetëror serb RTS. Pati kritikuar Prokurorinë, e pas fitores së VV-së më 9 shkurt pati përdorur shprehje +18.