Arbëri

Lista Serbe pritet ta humbë një ulëse në Kuvend, atë pritet ta fitojë partia e Rashiqit

Nenad Rashiq

Nenad Rashiq

Foto: Driton Paçarada

Lista Serbe pretendon se i ka fituar të gjitha 10 vendet e rezervuara në Kuvend për komunitetin serb. Por subjekti tjetër politik “Për Liri Drejtësi dhe Mbijetesë”, i udhëhequr nga Nanad Rashiq, beson se do të përfaqësohet me të paktën një deputet, bazuar në rezultatet preliminare, duke lënë Listën Serbe me 9.

Në një konferencë të mbajtur në orët e vona të së dielës, ministri në largim për Komunitete dhe Kthim, Rashiq, tha se pavarësisht përpjekjeve për ta mundur me mjete brutale, partia e tij pa dilemë do të jetë pjesë e Kuvendit.
 

“Jemi absolutisht të bindur se do të jemi pjesë e Kuvendit, por nuk dua të ngutemi me këtë meqë do të presim rezultatet zyrtare. Më pas do të jetë krejt e qartë se partia jonë mund të mos ketë vetëm një, por edhe më shumë deputetë, sepse mendoj që e merituam, jo vetëm sepse luftojmë për serbët autentikë të Kosovës, por sepse fituam numrin e duhur të votave”, tha Rashiq. 

Lista Serbe dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë shpallur fitoren pa dalë rezultatet preliminare. Të dy e quajtën rezultatin e Listës Serbe fitore të Serbisë.
 

“Dua t’ua jap lajmin se nga rezultatet paraprake në të gjitha vendbanimet serbe në Kosovë e Metohi, partia jonë është fituese absolute e këtyre zgjedhjeve dhe se në duart e Listës Serbe dhe kombit serb janë 10 ulëse të Kuvendit në Prishtinë”, tha kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek.  

“Këto rezultate janë thuajse të pabesueshme kur marrim parasysh se çfarë bëri Kurti për ta shkatërruar kombin serb dhe Listën Serbe e gjithçka që bënë ndërkombëtarët, haptas e fshehurazi, për ta shkatërruar Listën Serbe dhe për t’i ndihmuar të gjithë të tjerët kundër përfaqësuesve më të fortë serbë”, tha Vuçiq. 

Rashiq i quajti deklaratat e tyre dezinformuese. E u ankua po ashtu se simpatizantët e Listës Serbe provokuan afër zyrave të partisë së tij me festime të mëdha. 

Edhe rezultati preliminar i koalicionit të vëzhguesve Demokracia në Veprim tregon se subjekti politik i udhëhequr nga Rashiqi ka fituar një ulëse në Kuvend. 

Kjo qëndron edhe në bazë të rezultateve preliminare të mbi 95 për qind të votave të numëruara. 

Nëse konfirmohet, kjo do të jetë hera e parë që partia e Rashiqit do të përfaqësohet në Kuvend.

Që nga themelimi para më shumë se 10 vjetëve, Lista Serbe ka fituar të gjitha mandatet e rezervuara për serbët, me përjashtim të zgjedhjeve të vitit 2017, kur një ulëse e fitoi SLS-ja e Slobodan Petroviqit.

Lexo përditësimet tjera
Zgjedhjte 2025

LIVE: Rezultatet preliminare të KQZ-së