Tiranë, 8 maj - Kuvendi i Shqipërisë votoi në seancën e sotme edhe ndryshimet në përbërjen e re të komisioneve të përhershme parlamentare pas plotësimit të vakancave me deputetë të rinj të opozitës.
Kështu, Kuvendi votoi me 92 vota pro dhe 6 abstenim Myslim Murrizin si nënkryetar të Kuvendit. Ndërkaq, deputetët e rinj të opozitës janë shpërndarë në në disa komisione parlamentare.
Rudina Hajdari u miratua të jetë kryetare e Komisionit për Integrimin Evropian, Enver Roxhi kryetar i Komisionit të Shëndetësisë, Jalil Jakini nënkryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese dhe Mjedisit, Fationa Dhimitri kryetare e Komisionit të Medies, Alban Zeneli, kryetari i Komisioni i Sigurisë, Korab Lita nënkryetar i Komisionit të Ligjeve dhe Ralf Gjoni nënkryetar në Komisionin e Jashtëm/ATSH.