Arbëri

Konsensus në Kuvendin e Shqipërisë, 90 vota pro Komisionit për Reformën Zgjedhore

Rudina Hajdari zgjidhet bashkëkryetare e komisionit, deklaron suksesin e futjes në axhendë të kërkesës për ndryshimin e sistemit zgjedhor . Balla tha se PS do të implementojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Komsioni i Reformës Zgjedhore bëhet me 12 anëtarë. Shtyhet afati.

Opozita e re dhe pozita po gjejnë gjuhën e përbashkët për të miratuar ndryshimet në kuadër të reformës zgjedhore në Komisionin e Posaçëm. Me 90 vota pro, me një kundër dhe një abstenim, u miratua këtë të enjte ndryshimi i përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore i propozuar më herët nga palët.

Në këtë aspekt, siç duket, opozita e re ka më shumë të përbashkëta me pozitën, sesa me grupin parlamentar jashtë Kuvendit, i cili i ka shpallur luftë qeverisë përmes protestave. Gjatë seancës së djeshme parlamentare, deputetët e rinj kanë shoqëruar me të qeshura dhe nënqeshura ironinë e përdorur herë pas herë nga kryeministri Rama kundrejt Bashës dhe Kryemadhit. Me një gjuhë konsensusi, palët i hapën rrugë kështu, vijimit të punës së këtij komisioni, i cili do të drejtohet nga Damian Gjiknuri si bashkëkryetar dhe Rudina Hajdari si përfaqësuese e grupit të demokratëve në Kuvendin e Shqipërisë.

Edhe pse u përfol se ky komision do të përbëhej nga 10 përfaqësues, ditën e djeshme ka ndryshuar “loja e numrave” teksa u shtuan edhe dy të rinj dhe në total do të jenë 12 anëtarë. Më herët, kreu i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla tha se selia rozë ka një kusht të vetëm, i cili lidhet me përfshirjen e votës së emigrantëve. Përbërja e Komisionit të Reformës Zgjedhore: Partia Socialiste: Damian Gjiknuri (Bashkëkryetar), Bashkim Fino (anëtar), Alket Hyseni (anëtar), Vasilika Hsysi (anëtare), Klotilda Ferhati (anëtare), Blerina Gjylamenti (anëtare). Grupi i demokratëve: Rudina Hajdari (Bashkëkryetare), Myslim Murrizi (anëtar), Andi Përmeti (anëtar), Korab Lita (anëtar). Grupi parlamentar i pavarur: Nimet Musai dhe Ralf Gjoni (anëtar).

Çfarë kushti vendosi opozita e re mazhorancës?

Për opozitën e re, futja në axhendë e ndryshimit të sistemit zgjedhor është një fitore, të cilën opozita jashtë parlamentit nuk e propozoi asnjëherë, megjithë insistimin e partive aleate të PD-së. Kujtojmë se para disa ditësh, kërkesa për objektin e ndryshimit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore u shtrua nga deputeti i pavarur Ralf Gjoni. Në një prononcim për “Shekulli”-n, Gjoni tregon se i ka kërkuar Ballës të bëjë ndryshime në kodin zgjedhor, duke hedhur poshtë draftin e vjetër të PS-së, në mënyrë që ndryshimet e propozuara të mbeten meritë e kësaj forcë politike. Por që Balla ta merrte në konsideratë, Gjoni thotë gjithashtu se i ka vendosur një tjetër kusht; “nëse nuk pranon ndryshimet e propozuara nuk do të marrim pjesë në komisionet parlamentare”. Kushti është marrë në konsideratë nga Balla, pasi PS kërkon jetë aktive parlamentare, që të bashkëpunojë për ligjet dhe reformat, ndërsa opozita e re kërkon të plotësojë kërkesat, që sipas tyre, ka dështuar opozita jashtë.

Ndryshimi i sistemit zgjedhor

Nga foltorja e Kuvendit bashkëkryetarja e Komisionit të Reformës Zgjedhore nga radhët e demokratëve, Rudina Hajdari tha se opozita e re ka korrur sukses pasi arriti të fusë në agjendë ndryshimin e sistemit elektoral. Ndryshimi i sistemit zgjedhor do të jetë në krye të agjendës së Komisionit të Reformës Zgjedhore në Shqipëri, i cili ndryshoi jo vetëm konfigurim, por edhe afatet, ndërsa bashkëkryetarë nga radhët e opozitës u caktua Rudina Hajdari. Kryetari i grupit socialist, Taulant Balla paralajmëroi ashpërsim të masave për shitblerjen e votave, ndërsa nuk kurseu akuzat për LSI-në kur rrëfeu një bisedë me demokratin Edmond Spaho: “Në vitin 2017 Spaho më rrëfente se si LSI-ja vidhte votat.

Deputetja demokrate, Rudina Hajdari u shpreh se amendimet kryesore që do të ndërmarrë grupi i deputetëve të rinj të opozitës, të cilët janë tashmë pjesë e Kuvendit, është ai i ndryshimit të sistemit. Ndër të tjera, deputetja Hajdari falënderoi nga foltorja e Kuvendit, deputetët e opozitës që i dhanë kryesimin e grupit të ri parlamentar. “Do kemi disa amendime. Amendimi kryesor ka të bëjë me ndryshimin e sistemit, kjo është një arritje për opozitën dhe gjithë vend. Ju siguroj që gjatë mandatit të këtij komisioni do t’i arrijmë të gjitha objektivat që kemi rënë dakord me Grupin e mazhorancës. Përtej adresimit të rekomandimeve të OSBE-ODIHR, kemi për të garantuar një proces të rregullt zgjedhor dhe do marrim masat e duhura për listat zgjedhore, ky është një projekt me ambicie të lartë, por ky është objektivi kryesor. Sa herë që bëjmë zgjedhje ne kontestojmë rezultatin, duhet t’i garantojmë qytetarëve shqiptarë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndryshimi i sistemit është parësor. Do hartojmë planet në ditët në vijim dhe jam mirënjohëse grupit që ma dha mundësinë për t’i kryesuar. Falënderoj edhe kryetarin e Grupit Parlamentar të Pavarur”, u shpreh Hajdari.

Krahas bojkotit të procesit nga koalicionit opozitar, 42 parti janë gati të marrin pjesë në zgjedhje, mes tyre edhe partia e Astrit Patozit. Një prej themeltarëve të Bindjes Demokratike, Andi Përmeti u betua bashkë me 5 deputetët e ri të Parlamentit. Ndërkaq, të rinjtë e forumeve rinore të PD dhe LSI kanë protestuar para Parlamentit duke vendosur dhjetëra këpucë në hyrje të Kuvendit bashkë me flamujt e vendeve të Bashkimit Europian, në shenjë proteste për të rinjtë e larguar nga vendi jo me dëshirën e tyre./shekulli