Latif Lika shpesh del në krye të kodrës përballë shtëpive gërmadha. Shumica prej tyre kanë nisur të shemben krejtësisht. Muret i kishin bërë ballë zjarrit të forcave serbe.
Këmbësoria e Serbisë e dogji dy herë Strazhën në marsin e vitit 1999. Fatmirësisht banorët kishin lëshuar paraprakisht shtëpitë dhe këmbë maleve do ta kalonin dimrit kufirin. Ishin vendosur në fshatin Jazhincë në Maqedoni, shkruan sot “Koha Ditore”.
Lika, ish-ushtar i UÇK-së, mezi kishte pritur që ta kthente familjen pas luftës, megjithëse nuk kishte ku ta vendoste. Vetëm një prej rreth dyzet shtëpive u kishte shpëtuar flakëve të forcave serbe. Banorët u vendosën fillimisht nëpër gërmadha apo nëpër shtëpi të të afërmve nëpër fshatrat e rrethinë së Kaçanikut.
Kryefamiljarët e mbi tridhjetë shtëpive në pjesën e thellë malore të fshatit u pajtuan që të fillonin jetë të re në troje të reja. Pjesa më e madhe e fshatit të vjetër u la gërmadhë. Dikush ndërtoi shtëpi të re me mundësi të veta në kurriz të katundit. Të tjerët pritën deri më 2004, kur Komuna e Kaçanikut ia ndau secilës familje nga gjashtë arë toke publike.
Sot janë rreth tridhjetë shtëpi të ndërtuara në dy anët e rrugës gjarpërore. Jo fort larg tyre janë ndërtuar edhe shumë vila private. Kur temperatura poshtë në luginë shënon 30 shkallë celsius, në Strazhë është 22. Fshati si rrallëkund tregon fuqishëm dy anët e historisë më të re të Kosovës në luftë dhe paqe... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)