SOT

Nga shkrumbi i luftës, Vraniqi sot fshati me qindra shtëpi

Fshati Vraniq është ndër fshatrat e shumtë të Kosovës që dhanë gjithçka për lirinë. Përderisa shumë luftëtarë ranë në altarin e lirisë, ky fshat gjatë luftës ishte bërë shkrumb e hi. Ish-luftëtarët sjellin rrëfimin e tyre për vitet që konsiderohen si më të rëndat për këtë fshat.

Malet e Vraniqit mbajnë ende plagët e kohës më të vështirë për fshatin e Suharekës, ato të viteve 1998-1999, kur edhe u zhvillua lufta për çlirimin e Kosovës.

Vraniqi, një fshat i vogël, por me histori të madhe, u bë dëshmi e gjallë e qëndresës, flijimit dhe dhembjes njerëzore. 

Gjatë ofensivës së fundit të forcave serbe, ai u përball me masakra dhe djegie masive, derisa sipas banorëve nuk mbeti asnjë shtëpi pa u shkatërruar.

“Unë jam Sali Llugaxhiu pjesëmarrës i luftës prej 3 korrikut 1998 deri në mbarim. Kam vazhduar me TMK deri në pension. Jam bashkëluftëtarë i dëshmorëve që gjinden në këtë lapidar këtu. këta kanë qenë gjeneratë e re por kanë qenë luftëtarë më të mirë se unë. Jemi krenar dhe na kanë bërë krenarë të gjithë. Po të mos ishin këta nuk do ishim kthye më në këtë vend. Ky vend i ka 130 ushtarë që kanë luftuar gjatë luftës. Prej 130 të gjithë nuk janë në jetë. Ky fshat ka qenë i rrënuar dhe asnjë shtëpi nuk ka mbetur pa u djegë, krejt ka qenë shkrumb e hi që thonë. Këtu janë zhvillu beteja të forta dhe këtu ka rënë dëshmorë Zaim Muça”, thekson ish-luftëtari nga Vraniqi, Sali Llugaxhiu.

Sipas tij, krimet nuk u kryen nga ndonjë armik i panjohur, por nga ata që deri atëherë konsideroheshin komshinj.

“Ne i kemi pas afër serbët këtu dhe më shumë e kemi pasur prej komshinjve këtu se prej serbëve më larg që kanë ardhur. I kemi respektua gjithmonë i kemi llogaritë si komshi e në fund na u kthyen shumë keq. Kemi shumë të ekzekutuar e të masakruar. Ata nuk kanë as fytyrë me u kthye në këtë vend. Kanë bërë padrejtësisht masakra. Kanë pre njerëz, krejt këta të fshatit Populan”, thekson ai.

Një nga momentet më të rënda që rrëfen Llugaxhiu është masakra e 3 majit, kur u vranë 16-17 civilë nga fshati.

“Çka kanë gjetur këtu i kanë vra e masakrua. Ka qenë një bari dhe e kanë ngreh me autoblindë zhag deri e ka lëshuar  shpirti. Kurrë një të keqe s’ka ditë me ja bë dikujt. Qasi të pashpirtë kanë qenë. krejt copat i kanë rënë nëpër asfalt. Dhe asgjë asnjë përgjegjësi nuk është marrë. Dita më e vështirë ka qenë 3 maj, masakra e civilëve. Zaim Muça ka ra me pushkë në dorë, e më e vështira ka qenë kur janë masakruar 16-17 vetëm të fshatit tonë. Ne kemi qenë me pushkë në dorë dhe e kemi llogaritë që do të vritemi një ditë por na u kanë dhimbsur civilët të pambrojtur”, shton ai.

Gjatë luftës, çdo shtëpi në Vraniq ishte djegur dhe shkatërruar, por sot 26 vjet më pas fshati është rindërtuar plotësisht.

“Pas luftës krejt fshati jemi kthyer nëpër shatorë e llastika dhe ky fshat më shumë është fshat gurbetqar. Duhet me i falënderua edhe për ndihmat që na kanë ardhur, mirëpo na kanë ndihmuar djemtë tanë që kanë qenë në gurbet. Duhet të falënderoj edhe kryetarin e komunës që tash nuk ka rrugë që nuk është e shtruar në këtë fshat. Të gjitha i kemi. Tash po dalin është keq por asgjë nuk mungon. Të gjitha të mirat i kemi, pra është e dhimbshme që po lëshohet fshati”, deklaron Llugaxhiu.

13 qershori është Dita e Çlirimit të Suharekës, e cila për banorët, që i shpëtuan luftës, kujtohet si dita më e lumtur e jetës së tyre.

“13 qershori e kujtojmë si ditë krenarie. Kur kemi hyrë në Suharekë me 13 qershor ka qenë gëzimi më i madh. Të gjithë jemi kthyer me familje të lirë e kam në shpirt se kjo është data më e lumtur e shpirtit tim. Për një muaj më herët kanë dalë familjet tona se deri atëherë i kemi ruajt ne, herë në male si kemi mund”, shton Llugaxhiu. 

Disa djem të rinj ranë në altarin e lirisë, duke u bërë dëshmorë, simbol i krenarisë jo vetëm për fshatin e tyre, por për të gjithë Suharekën.

Ndër dëshmorët e fshatit janë edhe vëllezërit Muça. Rrahman Muça, vëllai i Zaimit dhe Osmanit, tregon për kontributin e familjes së tij në luftë. 

“Vëlla i Osmanit dhe Zaimit. Kemi qenë tre vëllezër dhe të tret kemi qenë të kyçur në rrugë. Unë kam qenë prej 3 korrikut. Zaimi si Zaimi nuk ka zënë asnjë vend, gjithkund ku ka pas luftime ka marrë pjesë. Ka qenë i gjallë, i zoti dhe të gjithë ndihemi krenar me punët e tij. për jetën e tij, ai është ardhur prej Gjermanisë për të luftuar. Zaimi ka qenë 29 vjeç kur ka rënë. Është vra këtu në qendër, këtu kanë qenë të pozicionuar serbët. Dy fëmijë i ka lënë, pas 4 muaj i ka lind djali. Djali i tij e ka ripërtëri emrin e Zaimit e tash po presim me u fejua. Kujtimin e 5 prillit nuk mundem ta largoj asnjëherë. Është e vështirë për ne sepse kur është vra nuk kemi pasur asnjë familjarë këtu. Janë kthyer prej kolonës për ta varros”, thekson Muça. 

Vraniqi është dëshmi e gjallë se liria e Kosovës nuk është fituar lehtë, por me sakrifica të shumta.