Arbëri

Mustafa: Shtabi nuk ka pasur informata lidhur me gjendjen e të ndaluarve

Ka përfunduar dëshminë në Hagë, ish-komandanti i Zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa. Gjatë dëshmisë prej rreth një jave, Mustafa vazhdimisht e ka vu theksin tek mungesa e përgjegjësisë së Shtabit të Përgjithshëm në krimet potenciale që mund të jenë kryer në terren. Këtë e ka theksuar edhe të martën.

Në ditën e fundit të dëshmisë në Gjykatën Speciale në Hagë, ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, ka thënë se asnjëherë nuk ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm për të ndaluar apo keqtrajtuar ndonjë person specifik në shtëpinë e ndalimit në Llapashticë, apo në pika të tjera.

Në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte, ish-komandant Remi ka mohuar se Shtabi ka pasur informata edhe për mënyrën si mbaheshin dhe trajtoheshin të ndaluarit.

“Nëse dikush keqtrajtohej, sepse e dimë që ka ndodhur, të paktën 8 persona në Llapashticë për periudhën që po flasim, në qoftë se një person keqtrajtohej apo lëndohej gjatë arrestimit, a është ky një lloj informacioni që do t’ia jepnit me telefon satelitor Shtabit të Përgjithshëm?”, ka thënë Ben Emerson – avokat i Kadri Veselit.

“Siç ju thashë edhe më herët, që Shtabi i Përgjithshëm nuk ka pasur këso lloj informatash nga zona ime për këto punë”, ka thënë Osmani.

Ish-udhëheqësit e UÇK-së akuzohen se kanë vepruar bashkërisht edhe për të urdhëruar ndaljen dhe vrasjen e kolaboracionistëve dhe kundërshtarëve politikë.

E gjatë dëshmisë prej rreth një jave, Mustafa vazhdimisht e ka vu theksin tek mungesa e përgjegjësisë së Shtabit të Përgjithshëm në krimet potenciale që mund të jenë kryer në terren.

Pas tij ka nisur dëshminë Francis Ledwidge, një ish-oficer i shërbimit inteligjent britanik, i cili ka shërbyer në Kosovë gjatë kohës së luftës në kuadër të misionit monitorues të OSBE-së.

Ledwidge tha se ka qenë i stacionuar në Rahovec dhe ka mbledhur dëshmi mbi të zhdukurit gjatë luftës.

Avokati Gregory Kehoe ka lexuar një raport të OSBE-së, në të cilin thuhet që ushtarët e njësisë së Rahovecit nuk e kanë përfillur një kërkesë të dy prej të akuzuarve, Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

“Ushtarët e kompanisë së parë refuzuan urdhrin e Mahir Hasanit që të shkonin në Llap për të ndihmuar më 26 korrik 1999. Kjo u kërkuar nga ‘Gjarpri’ dhe ‘Luli’, por ushtarët thanë që ne respektojmë vetëm urdhrat e komandantëve tanë”, ka thënë Kehoe.

Në vijë me këtë argument, avokati Kehoe tek foli për hierarkinë e UÇK-së, përmendi edhe Xhelal Hajdën, i njohur si Toni, i cili ishte larguar nga zona e Drenicës dhe kishte krijuar zonën e vet operative të Rahovecit pa lejen e Shtabit.