Ragmi Mustafi, këshilltar politik i zv.kryeministrit Besnik Bislimi, ka thënë shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë që prej procesit të dialogut të përmbushen edhe kërkesat e tyre.
Ai ka theksuar se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit kërkojnë që të mos diskriminohen më në Serbi dhe pozita e tyre atje të përmirësohet.
“Për shkak të rrethanave gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor dhe në dialog, shihet mundësia si të avancohet pozita e shqiptarëve të Luginës. Shqiptarët e Luginës nuk kanë hequr dorë nga aspirata e tyre politike që është nga vitet 90, por jemi hap pas hapi që të realizohen minimumi i kërkesave të shqiptarëve të Luginës. Kjo ka të bëjë me ndërprerjen e diskriminimit sistemor e strukturor të Serbisë, dhe përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë”, ka thënë ai.
Mustafi ka deklaruar se Qeveria e Shqipërisë duhet të kontribuoj në përpjekjet për të ndihmuar e mbështetur shqiptarët në Luginë. Sipas tij, ajo nuk po e bën këtë gjë.
Ai ka shtuar se Shqipëria e ka ulur interesimin për Luginën.
Edhe
Mustafi: Nxënësit e shkollave të mesme në Luginë e nisën vitin pa asnjë tekst të aprovuar nga Serbia
“Shqipëria do duhej të merrte model Qeverinë e Kosovës për angazhimin dhe përkushtimin në raport me Luginën e Preshevës. Kjo kërkon qasje strategjike për të ndihmuar për sfera të ndryshme shqiptarëve atje. Çfarë ka ndodhur në Qeverinë e Shqipërisë nuk e di, ka pasur një fazë të angazhimit sa ishin dy ministra kosovarë atje, por ka pasur ulje të vëmendjes së Shqipërisë sa i përket Luginës. Ka intensifikim dhe fokus të Kosovës për shqiptarët në Luginë”, ka përfunduar ai.
Mustafi: S’ka shtet tjetër në botë, pos Serbisë, që bën pasivizim të adresave
Ragmi Mustafi, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Qeveria aktuale e Kosovës është e para që ka kërkuar haptas dhe publikisht të drejtat e shqiptarëve në Luginë.
Mustafi në Interaktiv të KTV-së ka folur për sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Luginë të Preshevës.
“Nuk ka asnjë vend në botë, së paku nuk njoh, që bën pasivizimin e adresave, përmes së cilave mohon ekzistimin e tyre, përkatësisht mohon mundësinë për të pasur dokumenteve valide, që në mënyrë të drejtpërdrejtë shkurton të drejtat më elementare të një komuniteti. Është një nga problemet më të mëdha me të cilët po përballen shqiptarët. Përmendëm tekstet mësimore për shkollat fillore, por s’ka asnjë tekst të aprovuar së fundi për shkollat e mesme në Luginë. Ka mori problemesh, duke filluar nga mungesa e investimeve”, ka thënë Mustafi. “Diferencimi, pamundësia, moszhvillimi ekonomik, diskriminimi, janë disa nga problemet me të cilat përballen shqiptarët në Luginë e që duhet adresuar shumë shpejtë”.
Edhe
Sonte në “Interaktiv”: Shkolla pa libra, qytetarë pa adresë - diskriminimi i dyfishtë në Luginë
Mustafi ka reaguar ndaj kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi, duke akuzuar atë se po e përqafon narrativen e Beogradit.
“Në pozitën që gjenden shqiptarët në Luginë, ka dy narrativa, ajo e Prishtinës që mbron të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, që mundohet të avancojë pozitën e shqiptarëve si dhe ekziston narrativa e Beogradit që shtyp e shkel shqiptarët e Luginës. Në këtë mes s’ka mend se cilën e përqafojnë shqiptarët e Luginës. Por udhëheqja e Komunës së Preshevës ka përqafuar një narrativë që është në kundërshtim me aspiratat e shqiptarëve në Luginë”, tha Mustafi.
Mustafi ka thënë se Arifi ka tensionuar marrëdhëniet me Prishtinën e Tiranë, ndërsa ka marrëdhënie të mira me Beogradin, ndërsa ka thënë se drejtor iu shërbimit të trupit koordinues në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc është emëruar Nenad Mitroviq nga partia SNS e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Mustafi ka thënë se derisa Këshilli Kombëtar Shqiptar ka paditur ministrin serb Aleksandar Vulin për gjuhë të urrejtjes, “Arifi ka parë mënyrë për të bashkëpunuar me të”.
Edhe
Refuzimi i vizitave në Luginë, Mustafi: Vazhdim i diskriminimit të shqiptarëve
Mustafi ka thënë se një mori politikanësh shqiptarë në Luginë nuk pajtohen me qasjen e Arifit. Po ashtu ka shtuar se prezenca ndërkombëtare në Luginë të Preshevës është zvogëluar shumë.
Mustafi po ashtu ka thënë se ndaj kryetarit të Preshevës janë bërë disa padi për shpifje e gënjeshtra, e që ndërlidhen me ndarjen e 1.2 milionë euro nga Qeveria e Kosovës për Luginën.