Ish-ministri i Bujqësisë, tashmë deputet në Kuvendin e Kosovës, Besian Mustafa, ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati për teori konspirative lidhur me akcizën dhe TVSH-në për naftën.
Mustafa ka thënë se Murati duhet të ofrojë zgjidhje për t’i përkrahur qytetarët me çmimet e papërballueshme dhe jo ta hedh fajin te të tjerët për “pasivitetin e tij”.
“Leni paranojat, veproni”, ka shkruar Mustafa.
Murati ka deklaruar të hënën se thirrjet e opozitës për ulje ose heqje të akcizës së naftës janë thirrje për trashje të fitimit të tregtarëve, derisa shtoi se që nga marrja e detyrës, Qeveria nuk e ka ngritur asnjë taksë.
Murati shkroi në Facebook se asnjë veprim i Qeverisë Kurti nuk ka ndikuar në rritjen e çmimit të naftës. Sipas tij, rritja e çmimit ndodh si pasojë e rritjes së çmimit të furnizimit nga importi.
“Prandaj po punojmë për një vendim që cakton çmim tavan dhe marzhë maksimale të fitimit, sepse në situata të tilla të jashtëzakonshme, është e domosdoshme që Qeveria të ndërhyjë në treg për stabilizuar çmimet, gjë që parashihet edhe me legjislacionin në fuqi”, tha ministri i Financave.
Ai shtoi se thirrjet për ulje të TVSH-së apo akcizës nuk i shërbejnë interesit qytetar.