Arbëri

Mustafa: Kosova ka gjasa të mira për pranim në Interpol

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri në detyrë Isa Mustafa, mori sot vendim për aprovimin e Planit të tretë kombëtar të veprimit për efiçiencë të energjisë për periudhën 2016-2018.

Objektiv i këtij plani është arritja e cakut indikativ të kursimit deri në vitin 2018 prej 9 për qind, respektivisht 92 kiloton ekuivalent, veçanërisht për sektorët e konsumit final të energjisë, amvisëri, shërbime, transport dhe industri, transmeton Koha.net.

U aprovua edhe Nisma për aderimin e Republikës së Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale – Interpol.

“Sivjet konsideroj se shanset janë shumë më të mira, puna është bërë, përkrahja ekziston. Prandaj, ta përkrahim këtë nismë dhe të gjithë së bashku ta bëjmë punën tonë, institucionet tjera ta bëjnë të veten, në mënyrë që në shtator të këtij viti të përfundohet me rezultat pozitiv ky anëtarësim”, tha kryeministri Mustafa.

Po ashtu, u aprovua edhe rregullorja për shitjen me pakicë të obligacioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Edhe Udhëzimi Administrativ për menaxhimin e deponive të mbeturinave, mori miratimin e kabinetit qeveritar.

Me vendime të ndara, Qeveria ia ka vazhduar mandatin sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.

Po ashtu, është marrë vendim për reduktimin e fondeve të alokuara në kategorinë e shpenzimeve kapitale të nivelit qendror.

Qeveria ka marrë vendim preliminar për shpronësim për interes publik të pronave shoqërore të KBI “Kosova Export” dhe NSH “Bujqësia”, Obiliqi, të cilat preken nga realizimi i Projektit për renovimin e Stadiumit të Futbollit “Agron Rama” në Komunën e Obiliqit.

Në këtë mbledhje, është miratuar Raporti gjashtëmujor i Buxhetit për vitin 2017. Ndër të tjera, gjatë kësaj periudhe, pranimet kanë pasur një rritje prej 8 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, e realizuar nga të hyrat e rregullta tatimore dhe ato jo tatimore. Pagesat kanë pasur rritje prej 7 për qind, falë rritjes së investimeve kapitale. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, rritje ka pasur edhe nga të hyrat në dogana, 3.9 për qind, si dhe në ATK, 9 për qind.

Kryeministri Mustafa është shprehur i kënaqur me punën e bërë në këto dy institucione, por edhe nga vetë ministritë.

Është miratuar vendimi për aprovimin e Statutit të Lotarisë së Kosovës, që përmban dispozita për firmën, selinë, themeluesin e Lotarisë, rregullon veprimtarinë dhe kapitalin themelor të Lotarisë, ndarjen e fitimit dhe sistemimin e të ardhurave dhe bartjen e rrezikut. Po ashtu, është marrë vendim për kompensimin mujor për anëtarët e Bordit Menaxhues të Lotarisë së Kosovës.

Po ashtu, u mor vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik. të cilat nevojiten për dy qëllime: e para për mbulimin e obligimeve të mbetura kontraktuese nga kontrata me operatorin ekonomik për shpenzime kapitale dhe e dyta për mirëmbajtjen e platformës elektronike nga data 1 gusht, ngase kontrata e mëparshme kalon.

Kryeministri Mustafa theksoi se prokurimi elektronik është një fushë tepër e rëndësishme e cila është përkrahë dhe duhet të përkrahet deri në fund.

Gjatë kësaj mbledhje është diskutuar edhe rreth çështjes së energjisë elektrike, si dhe rreth mandatit të ministrave, të cilët tashmë janë zgjedhur deputetë.