Analisti Albert Musliu ka thënë se është pothuajse e pamundur që të ftohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut pas incidentit diplomatik në të cilin u përfshi presidentja Vjosa Osmani. Si arsye për këtë, analisti nga Shkupi ka thënë se janë shqiptarët që përbëjnë 1/3 e popullsisë së Maqedonisë së Veriut.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të enjten u raportua se u shty fizikisht dhe pati tentativë për t’ia marrë telefonin nga sigurimi i aeroportit në Shkup. Kjo nxiti reagime të shumta. Tek të premten në mbrëmje, Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut shprehu keqardhje.
Në një lidhje direkte në “Interaktiv”, Musliu ka thënë se shqiptarët do të reagonin në rast se do të kishte ftohje të marrëdhënies mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, kjo do të ishte shqetësuese edhe për NATO-n. Por e pranon se Qeveria e re maqedonase ka tendencë për afrim më të shprehur me Serbinë.
“Është evidente”, ka thënë Musliu.
Sipas tij, incidenti me presidenten Osmani nuk është gjë e vogël dhe e vërteta do të dalë në shesh. Beson se incidenti nuk ka qenë i rastësishëm, ndërsa shpreson se reagimi i vonshëm i autoriteteve maqedonase të mos jetë i qëllimshëm.
“E vërteta do të dalë në sipërfaqe. Nuk është gjë e vogël që mund të mbyllet. Nuk e humb as intensitetin, është nonstop në mediat shqiptare, në rrjetet sociale. Do ta kuptojmë se kush është fajtori. Besoj incidenti nuk ka qenë i rastit, por reagimi i vonshëm dua të besoj se nuk ka qenë i qëllimshëm. Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë pasur marrëdhënie të shkëlqyera, shpresojmë që edhe me qeverinë e re – por shohim se së fundmi janë intensifikuar lidhjet me fqinjin verior Serbinë”, ka thënë ai.
Për t’u qetësuar të dy palët, Musliu thotë se duhet të dalin me një të vërtetë të përbashkët dhe ta identifikojnë fajtorin.
“Dikush duhet të marrë përgjegjësi. Nuk e përjashtoj që kjo të ketë ketë qenë edhe tendencioze dhe provokuese. Diçka ka ndodhur, ne duhet ta dimë dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi”, ka shtuar analisti shqiptare nga Maqedonia.
LEXO EDHE: