Profesoresha e drejtësisë në Universitetin e Prishtinës dhe ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gjylieta Mushkolaj, ka thënë se shteti ka dështuar në adresimin e krimeve të luftës nga Serbia, ndërsa ka fajësuar edhe qytetarët që nuk i kanë bërë presion më shumë qeverive për t’u marrë me këtë çështje.
Mushkolaj ka thënë se mungesa e vullnetit politik ka bërë që të abuzohet në kohë paqeje me viktimat e luftës.
“Jemi dëshmitar se mungesa e vullnetit politik ka bërë që të abuzohet në kohë paqeje me viktimat e luftës. Te ne është bërë gjenocid, është bërë mizori. Pas çlirimit, duket se e kemi harruar se si kemi ardhur deri te kjo liri dhe si e kemi filluar shtetndërtimin. Shteti ka dështuar, ne kemi dështuar që nuk i kemi bërë presion të madh shtetit për t’u marrë me këtë çështje”, ka thënë ajo në KTV.
Mushkolaj e ka përmendur Velko Odalloviqin si shembull për të treguar se sa ka qenë vullneti politik në Kosovë për t’u marrë me krimet e luftës.
“Ka pas dialog me dikë si Velko Odalloviq për çështjen e të zhdukurve me dhunë, e tregon se cili ka qenë vullneti ynë politik. Odalloviq, me të cilin kemi dialoguar për një kohë të gjatë, ka qenë autoriteti qendror i Millosheviqit kur kanë ndodhur mizoritë më të mëdha në Kosovë. Si kemi lejuar me një njeri të tillë të dialogojmë”, ka thënë Mushkollaj.
Edhe
Mushkolaj: Qeveritë s’kanë guxuar t’i rregullojnë çështjet që kanë të bëjnë me komunitetet fetare
Profesoresha e UP-së ka shpresë se në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë mund të hapen dyert për t’i adresuar krimet e luftës në nivele ndërkombëtare.
“Vetëm marrëveshja përfundimtare mund të na hapë rrugë për t’i adresuar këto krime në gjykata ndërkombëtare. Vetëm një marrëveshje e këtillë mund të na mundësojë që të gjejnë më në fund paqen viktimat”, ka theksuar ajo.
-
Rihapet shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit për krime lufte, Millorad Gjokoviq
-
Gërvalla: Rasti në Banjskë s’ishte incident, por agresion i planifikuar nga Serbia
-
Mushkolaj: Kosova nuk është shtet konsociacional, Bosnja po - Ahtisaari kishte kujdes
-
Mushkolaj kritikon presidenten: Duhej të vepronte më herët për krizën institucionale