Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se synim i opozitës është bllokimi i shtetit, duke thënë se kjo po bëhet “edhe në kurriz të qytetarëve”. Për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që të mërkurën njoftoi se komunat do të duhet t’i të falin vetë tatimin në pronë, Murati tha se u dëshmua që akuzat ndaj Qeverisë ishin të pabaza.
“Të gjitha kritikat e akuzat ndaj Qeverisë për këtë temë kanë qenë të pabaza, dhe kjo gjë edhe u dëshmua tani. Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se opozita synim të vetëm e ka bllokimin e shtetit, qoftë edhe në kurriz të qytetarëve. Qytetarët do ta mbajnë mend këtë”, ka shkruar ai në Facebook.
Në shtator, Kushtetuesja pati vendosur masë të përkohshme për nenin e Ligjit për tatimin në pronë, që parashihte faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët. Komuna e Prizrenit e pati dërguar ligjin për vlerësim në Kushtetuese. Kryetarët e komunave akuzonin Qeverinë për ndërhyrje në kompetenca të komunave dhe se me këtë ligj ato dëmtoheshin duke ua zvogëluar buxhetin.
Kushtetuesja ka bërë të ditur po ashtu se periudha 15-ditëshe që komunat të vendosin për faljen e tatimit në pronë, nis nga dita e hyrjes në fuqi të aktgjykimit.