Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se është marrë vendim që secili punonjës që ka qenë i punësuar në periudhën dhjetor 2019 – shkurt 2020, dhe ka humbur vendin e punës, do t’i subvencionohet paga bruto deri në 50 për qind, për tre muaj.
Përmes një komunikate, Murati thotë se kusht për subvencionim ështe që përfituesi të mos ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën prill 2021 – qershor 2021.
Për Pakon e ringjalljes ekonomike, që Murati thotë se është Masa 1.1, verifikimi i punonjësve do të bëhet përmes uebfaqes së ATK-së dhe më pas “të kualifikuarit duhet të deklarohen nga punëdhënësi në deklaratën e rregullt mujore, duke filluar nga data 1 gusht 2021.
“Pasi të jetë bërë deklarimi, punëdhënësi duhet të plotësojë formularin për subvencionim, po ashtu përmes sistemit EDI. Aplikimi për subvencion nga Masa 1.1 do të mund të bëhet deri më datë 15.10.2021. Për vegzën elektronike për kualifikim, hapjen dhe udhëzuesin e aplikimit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të njoftojë publikun gjatë ditëve në vijim”, thuhet në njoftim.