Arbëri

Mungesa e unitetit dhe e kuorumit pamundësojnë miratimin e 4 marrëveshjeve ndërkombëtare

Katër marrëveshje ndërkombëtare nuk arritën të merrnin miratim në Kuvend, si pasojë e mungesës së unitetit midis deputetëve të pushtetit e atyre të opozitës, por edhe për shkak të mungesës së kuorumit. Mungesa e kuorumit bëri që të dështojë edhe seanca, që në rend dite kishte pika nga vitit i kaluar

Përçarjet mes deputetëve të pushtetit e atyre të opozitës dhe mungesa e kuorumit e pamundësuan ratifikimin e katër marrëveshje ndërkombëtare në seancën e së mërkurës të Kuvendit.

Uniteti nuk u arrit shkaku i qëndrimeve të përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike kundër Marrëveshjes për kredi nga OPEC-u për Zhvillim Ndërkombëtar e asaj për financim me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim të Projektit të reformës së sistemit të ndihmës sociale.

Krahas deputetëve të Vetëvendosjes, mbështetje për kredinë nga OPEC-u dhanë edhe ata të Partisë Demokratike e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, porse, megjithëkëtë, nuk u mblodhën 80 votat e nevojshme për ratifikim.

Kundërshtim nga LDK-ja pati edhe për marrëveshjen e reformës së ndihmës sociale.

“Janë me mijëra familje e pensionistë që presin për këtë reformë. Po të mos ishte e kësaj rëndësie, nuk do ta sillja për herë të tretë. Ju ftoj ta votoni, të lihen anash inatet politike dhe të mbështetet në mënyrë që të hapet rruga për reformë”, ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Është praktikë e re që Qeveria t’ju kërkojë deputeteve të ratifikojnë marrëveshje për ndihma sociale ose për mbështetje direkte buxhetore....”, ka thënë deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Pas kundërshtisë nga LDK-ja, votat e të cilit subjekt ishin të domosdoshme për kalimin e ujdisë, LVV-ja u tërhoq nga pjesëmarrja në votim, me justifikimin që të mos e lejonte rrëzimin e saj.

“Shpresoj e uroj që të thërrasin ndërgjegjen dhe të kemi më shumë unitet për këto tema të cilat kalojnë, e para edhe linjat politike por edhe mandatet tona”, ka thënë shefja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

E mosmiratimi i marrëveshjeve gjeneroi kritika ndaj subjektit kryesor në pushtet.

“Ju si koalicion duhet të jeni më të përgjegjshëm së paku me numrat që i keni”, ka thënë Abelard Tahiri, shef i GP të PDK-së.

“Është tmerri i tmerrit ky Kuvend të mos mbërrij konsensus për të votuar marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë Besnik Tahiri, shef i GP të AAK-së.

Debati vazhdoi me polemika midis deputetit të LVV-së, Dimal Basha, dhe atij të LDK-së, Avdullah Hoti.

“Është me rëndësi të dihet se të njëjtën marrëveshje ky Kuvend e ka miratuar në kohën më të vështirë, kurse sot i njëjti deputet, atëherë kryeministër i kontrabanduar, del jep arsye që nuk qëndrojnë”, ka thënë Basha.

“Atë qeveri e kanë rrëzuar votat e deputetëve. Ajo qeveri nuk e ka merituar mandatin, nuk e meriton as kjo. Deputeti duhet ta dijë që subjekti i tij nuk e ka votuar marrëveshjen e stabilizim-asociimit, por ka harruar se s’ia ka idenë se i ka ndërruar disa parti derisa ka ardhur këtu”, ka thënë Avdullah Hoti.

“Për ndërrimin e partive të mija unë s’kam qenë asnjëherë në ndonjë parti tjetër. A zoti Hoti doli që kishte qenë anëtar i Partisë së Re, a sot shitet rugovist. S’kishit qenë as ti, as Isa Mustafa”, ka thënë deputeti Basha.

Si pasojë e mungesës së kuorumit, krahas kësaj marrëveshjeje, në votim nuk dolën as dy të tjera dhe as të vazhdonte seanca.

Pa u shqyrtuar mbetën edhe Projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhunën ndaj grave dhe dhunën në baza gjinore, si dhe Strategjia për Energji e viteve 2022-2023.