Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mula e shokuar me sulmin në Zubin Potok: Në ekspeditë kishte edhe bjeshkatarë ndërkombëtarë

Alpinistja Arineta Mula ka rrëfyer për sulmin me armë të përjetuar dje në Zubin Potok. Ekspedita e klubit “Kosovo Mountain Club” kishte hasur në një sulm të befasishëm në Zubin Potok dje, ku dy persona të armatosur kanë shtënë me armë.

Mula thotë se për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar, por shpreson të jetë rasti i fundit që ndodh një gjë e tillë. Ndaj sulmit ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, që kanë thënë se do të merren masat të zbardhet rasti.

“Kemi pas 55 bjeshkatarë dje, kemi qenë 4 udhërrëfyes, kemi pasur radiolidhje dhe kemi bërë komunikim si gjithmonë për siguri. Kemi filluar ecjen në liqenin e Ujmanit, vet rrugëtimi ishte mjaft i bukur deri kur shkuam te pika. Shtegu i paraparë ishte 14 kilometra, ndërsa pas 3.5 kilometrave ndodhën të shtënat. Por para kësaj kaluam nëpër disa fshatra, në fshatin e fundit para se të ndodhte kjo ngjarje, takuam një banor serb që na përshëndeti aq mirë dhe na tregoi shtegun. Kishim disa bjeshkatarë që e dinin gjuhën. Është mirë me cek se në radhët e bjeshkatarëve kishte edhe ndërkombëtarë, amerikanë, gjermanë, spanjollë e francezë. Ata ishin të lumtur në një formë që po ecnim në këtë pjesë, madje isha duke fol me një bjeshkatar gjerman e i thash se sa mirë që po jemi në këtë zonë. E dimë Zubin Potoku për çka thirret. Por pas dhjetë minutave pas atij komunikimi me banorin, ka pasur të shtëna të pandalshme me armë”, ka thënë Mula në një intervistë në emisionin “Sot” të KTV-së.

Ajo ka treguar se Adnan Beqiri, Fidan Abazi e Donika Kadaj-Bujupaj , si dhe dy bjeshkatarë tjerë ishin në rendin e parë kur ndodhi sulmi.

“Kanë parë dy vetë, ata që ishin në rreshtin e parë. Pjesa tjetër nuk mund të shihnim mirë pasi ishte një kodrinë. Më vjen keq që Adnani është lënduar në një formë, pasi ka qenë ai që i ka parë direkt. E ka pas të drejtuar armën drejt tij dhe është ndjenjë e keqe. Sipas tij të shtënat e zjarrit nuk ishin shumë larg mbi kokën e tij, e normale ishte i rrezikuar. Ne jemi ulur me të marrë informatat e para. Grupi e ka menaxhuar mjaft mirë situatën e përgëzoj për këtë. Kemi bërë një ecje të shpejt, apo vrapim të lehtë. Ne menduam të largoheshim, por gjithë kohën nuk e dinim se çfarë na pret.

Mula ka thënë se dje është dhënë një deklaratë te policët serbë të Kosovës në veri, ndërsa sot do të japin deklaratë në stacion edhe bjeshkatarët tjerë.

“Sot do të shkojmë në stacion policor për të dhënë deklaratë. Dje e ka dhënë Fidan Abazi, por policët e veshur në uniformë të Kosovës që ishin serbë, ishin jo mikpritës. Nuk iu dukej gjë e madhe, pasi nëse nuk ke qenë aty nuk të duket serioze. Është tepër serioze, pasi ti po del në mal e nuk kemi shkuar me idenë të bëjmë diçka te ajo pjesë. Andaj është diçka që duhet të merret me seriozitet. Më erdhi mirë që presidentja Vjosa Osmani ka dhënë deklaratë e ka thënë se do të merren organet me këtë ngjarje. Shpresoj të jetë rasti i fundit i tillë”, ka thënë Mula.

Edhe Policia jep detaje për incidentin në Zubin Potok Arbëri Policia jep detaje për incidentin në Zubin Potok

Policia ndërkohë ka dal me njoftim për sulmin.

“Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se derisa ishte së bashku me 50 bjeshkatarë tjerë, kanë hasur në dy të dyshuar, të panjohur të armatosur me armë automatike, të cilët kanë shtënë me armë në drejtim të tyre dhe në ajër. Nuk raportohet për të lënduar”, thuhet në raportin e Policisë.